Qeveri apo bandë?
Maxhoranca e sotme socialiste erdhi në pushtet duke u vetëquajtur Rilindja e Shqipërisë. Shumë ambicioz si emërtim, kujtdo i mbetej të shihte sa e besueshme do të ishte maxhoranca në vijim. Dhe, sidomos, më kë kishte zgjedhur Kryeministri ta bënte Rilindjen.
Se në kohët e sotme, edhe pse nuk jam dakord, thonë se mesazhi është në fakt ai që ta sjellë atë. Në më pak se dy vjet po shohim se më çfarë brumi është gatuar Rilindja socialiste, dhe më kë ka vendosur Kryeministri të qeverisë.Dje, një deputet i maxhorancës ka plagosur me armë shtetasit e vet në një konflikt të hapur interesash ekonomike të lidhura drejtpërdrejt me familjen e tij.
Pardje, pamë një raport ku përmendej emri i kryetarit të Parlamentit si i përzier në korrupsion për mbledhjen e faturave të energjisë. Pak kohë më parë, një tjetër deputeti iu hoq imuniteti dhe është në hetim në një çështje tentative vrasjeje, ku u përfol se dërguesi ishte kryetari i Parlamentit. Një tjetër deputet i maxhorancës është në hetim ndërkombëtar për trafikim qeniesh njerëzore.
Të tjerë deputetë të saj thuhet se janë të lidhur me krimin. Një numër kryebashkiakësh të rinj të maxhorancës gjithashtu janë kontestuar dhe treguar me gisht nga brenda dhe jashtë vendit si të lidhur drejtpërdrejt me krimin dhe afera korruptive. Shumica e tyre nuk kanë qenë anëtarë të Partisë Socialiste më parë se Kryeministri. Tesera e tyre është firmosur prej tij. Ç’po ndodh? Nuk duhet të harrojmë që kjo maxhorancë u inaugurua me tritol në vjeshtën e 2013-s.
Në Tiranë dhe në Vlorë. Për të ngjallur frikën te njerëzit. Ajo vazhdon me rritje taksash, çmimesh, gjobash policie dhe pastërtie. Kjo maxhorancë nuk qeveris, ajo ndërmerr aksione. Aksion për të mbledhur faturat e energjisë. Aksion për eliminimin e prodhimit dhe trafikimin e narkotikeve. Aksion për mbledhjen e të ardhurave. Me rezultate të mjera. A na ndërpritet përsëri energjia në shtëpitë tona? A shpërtheu narkotrafiku nga jugu në veri? Sa herë që ajo vetë-kapet gafil për paaftësi, maxhoranca ndërmerr ndonjë aksion.
Dhe gjithmonë tregon me gisht si fajtor popullin e vet. Shqiptarët janë të këqij, unë jam i mirë. Jo të gjithë shqiptarët janë të këqij, ata që zgjedh unë si të tillë. Ata që tregoj unë me gisht. Metoda e preferuar e aksionit dihet që nuk prodhon rezultate të qëndrueshme, por kryesisht terror psikologjik. Qeverisja e sotme, në vetëpëlqimin e saj është shndërruar në një regjim arbitrar. Proza lumë e qeverisë e damkos këdo që shqetësohet nga kjo metodë qeverisjeje si kriminel, shkelës të ligjit, përkrahës të evazionit, zhuls, hajdut etj.
Kjo prozë e menduar mirë ndërsen shqiptarët kundër njëri-tjetrit, në një lojë që ata e njohin mirë nga e shkuara jo e largët, dhe sot në vend të paqes sociale, në vend kemi një përçarje dhe acarim social si kurrë më parë. Dhe kërkesa të pafundme për azil. Nuk di nëse e gjithë kjo bëhet jo vetëm për të frikësuar shqiptarët apo edhe për të mbajtur shtrënguar rreth vetes një maxhorancë të sikletshme të krijuar me LSI-në dhe të përforcuar së fundmi edhe me PDIUn.
Por nuk ka ndonjë çudi nga ngjarja më e fundit, ku deputeti i maxhorancës plagos shqiptarët me armë zjarri. Mënyra sesi kjo maxhorancë është organizuar për të ardhur në pushtet dhe mbajtur me çdo kusht atë është mjaft paralajmëruese për këtë. Gjakftohtësia e Kryeministrit në hartimin e listave për deputetë, për kryetarë bashkish, emërimet në postet kyçe të shtetit në rend dhe ekonomi janë një dëshmi e qartë.
Këto lista nuk janë haraçi i tij. Ato janë vepra e tij. Të gjithë personat e përfshirë në to kanë plotësuar kritere të qarta, që e kanë bërë Kryeministrin të ndihet komod se jo vetëm do ta merrte pushtetin, por edhe se do e mbante atë krejt i pashqetësuar dhe mbi të gjitha, do bënte çfarë i thoshte mendja me të. Sikundër dhe po bën. Ndërsa jam i qartë që jo të gjithë deputetët e maxhorancës mund t’i përshkruash kështu, sikundër mendoj se të tillë tipa mund t’i gërmosh edhe gjetkë, them se Hayek e përkufizon qartë këtë lloj personi-instrument.
Ky person, që të jetë i dobishëm për Liderin, duhet të jetë i gatshëm që jo vetëm të pranojë justifikim e veprave të kobshme, ai apo ajo duhet të jenë të përgatitur qartazi për të thyer çdo rregull moral që ka njohur ndonjëherë nëse kjo është e nevojshme për arritjen e objektivit që i kanë caktuar. Duke qenë se është Lideri suprem ai që i përcakton këto objektiva, instrumentet e tij nuk duhet të kenë asnjë bindje morale të tyren. Ata duhet, mbi të gjitha, të jetë të angazhuar pa rezerva ndaj liderit; dhe çka është gjëja më e rëndësishme, këta njerëz nuk duhet të kenë asnjë parim dhe më të vërtetë të aftë të kryejnë çdo gjë që u kërkohet.
Ata nuk duhet të kenë asnjë ideal të tyrin dhe asnjë ide se çfarë është e drejtë apo e gabuar, që mund të shqetësojë plotësimin e qëllimeve të Liderit. Qartësia, vendosmëria dhe këmbëngulja e Kryeministrit për t’u rrethuar nga këta tipa njerëzish, mundësisht të fortë, pashmangshmërisht me probleme ligjore brenda dhe jashtë vendit, tregon se cila është oferta e tij qeverisëse, se si e koncepton ai procesin e qeverisjes dhe se si dhe përmes mbështetjes së kujt mendon ai të qëndrojë sa më gjatë në qeveri. Edhe pse qeveria e tij sot është e rrëzuar. Moralisht dhe ligjërisht.
"Panorama"
Add new comment