Guvernatori mbron bankat nga aksioni kundër informalitetit: Nuk kanë fshehur para

Postuar në 02 Shtator, 2015 19:56

Për guvernatorin Genti Sejko aksioni i luftës kundër informalitetit do t’u japë mundësi bizneseve të bëhen më të besueshme për bankat dhe të përfitojnë më lehtë kredi. Sipas tij, sektori bankar është më i formalizuar dhe në përgjithësi nuk ka punuar me balance të dyfishta. “Unë nuk dua të bëj avokatin e bankave, por kjo është e ditur që bankat apo aktorët e sektorit financiar të licensuara nga Banka e Shqipërisë kanë qenë sektori apo industria më e formalizuar në raport me pasqyrat financiare. Pra bankat dhe institucionet e tjera financiare janë përgjithësisht me një bilanc, nuk kanë fshehur të ardhurat, kanë qenë transparente dhe nuk kanë qenë të ekspozuara në këto përmasa ndaj informalitetit”-deklaroi Sejko në një dalje për mediat ku lajmëroi mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit. Për guvernatorin, informaliteti i lartë ka penguar edhe hapjen e bursës së Tiranës. “Nga ana tjetër formaliteti do të ndikonte edhe në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Kemi kohë që komentojmë që ka një mungesë zhvillimi në Shqipëri në tregjet e kapitalit, bursa u mbyll dhe komente të tjera. Natyrisht një prej faktorëve që ka ndikuar në moszhvillimin e tregjeve të kapitalit është informaliteti i lartë”-theksoi Sejko. Sipas tij formalizimi i bizneseve do të jetë me efekte pozitive për ekonominë.“Një standardizim dhe një pasqyrim i gjendjes financiare të bizneseve të mëdha të vogla e të mesme, por edhe të individëve do të rriste kreditimin nga bankat e nivelit të dytë dhe do të formalizonte këtë pjesë”-deklaroi guvernatori.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.