Numrat IMEI të celularëve do të regjistrohen. Kësaj radhe qeveria ndërhyn me projektligj
Numrat e aparateve celularë që disponohen nga shtetasit shqiptarë – Tatimpagues - apo ata që banojnë në Shqipëri, do të regjistrohen në një Bazë të Dhënash. Kështu, një vit pas debatit dhe gjykimit në Gjykatën Kushtetuese, për regjistrimin e numrave IMEI, qeveria shqiptare e ka rikthyer çështjen, por kësaj radhe me anë të një projektligji, që parashikohet si ndryshim në ligjin për procedurat tatimore. Dhe në pamje të parë, ai përfshin një kategori më të kufizuar: Tatimpaguesit.
Çfarë është IMEI
IMEI është një numër 15 shifror i inçizuar në çdo aparat celular, i cili shërben për të identifikuar pajisjen. Komanda *#06# e evidenton numrin në çdo aparat. Në përgjithësi vendet kanë krijuar bazë të dhënash për këto numra, duke klasifikuar tri lista: lista e bardhë, ku janë aparatet e deklaruar, lista gri, ku përfshihen numrat e aparateve ende të padeklaruar dhe lista e zezë, ato që bllokohen dhe nuk u ofrohet shërbim pasi nuk është bërë deklarimi i numrit. IMEI ka përdorime utilitare si p.sh përdoruesi mund të kërkojë bllokimin e pajisjes nga rrjeti nëse i është vjedhur aparati, duke dhënë numrin IMEI. Ka një ndryshim nga bllokimi i kartës SIM, që shmang konsumimin e kreditit dhe përdorimin e numrit telefonik.
Krijimi i bazës së të dhënave për numrat IMEI
Burime nga qeveria bëjnë të ditur për “ResPublica” se parashikohen ndryshime ligjore, konkretisht duke propozuar projektligjin: “Për disa shtesa në ligjin në 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”. Ky hap, pra ndërhyrja përmes një ligji, apo shtese në ligj, zgjidh një nga pretendimet e opozitës në Gjykatën Kushtetuese, ku vlerësohej se krijimi i bazës së të dhënave me numrat IMEI, nuk mund të bëhet me VKM, por me ligj. Teknikisht, qeveria e realizon këtë bazë duke i dhënë të drejtën Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të bëjë regjistrimin që në hyrjen në doganë. “1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve krijon bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI- e të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjitha IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cënuar legjsilacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në projektligj. Krahas këtij detyrimi parashikohet edhe sanksioni përkatës. “Dënimet për mosngarkim ose ngarkim të pasaktë të numrave IMEI tek Baza e të Dhënave...Çdo tatimpagues që nuk ngarkon të dhënat e numrave IMEI të telefonave celularë ose ngarkon informacion të pasaktë dënohet me një gjobë prej 30 mijë lek për cdo mosngarkim/ngarkim jo të saktë”, thuhet në projektligj. Kësaj radhe ligji prek vetëm subjektet tatimpaguese dhe nuk flet për individët, ndonëse thuhet se në hyrje në doganë deklarohet çdo numër aparati.
Lokalizimi përmes IMEI-t
Cilësohet si numër shasie për celularët dhe mE këtë krahasim vjen edhe mundësia e lokalizimit të poseduesit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 354, që më vonë u shfuqizua, parashikohej kjo procedurë regjistrimi: “Baza e të Dhënave për numrat IMEI...do të përmbajë numrat IMEI, markën dhe tipin e aparateve celulare shoqëruar me një nga të dhënat e mëposhtme:
a) NIPT-in e importuesit në rast se aparati celular është në pronësi të importuesit;
b) NIPT-in e tregtarit, person fizik ose juridik, në rast se aparati celular është në pronësi të personit tregtar;
c) numrin personal të identifikimit për aparatet në përdorim të individëve;
ç) shënimin në lidhje me identifikimin e numrit si dhe të mungesës së elementeve identifikuese për pronësinë”. Pra numri IMEI kombinohet me një të dhënë shtesë, përveç numrit në kartën SIM, IMSI, ose International Mobile Subscriber Identity. Kjo e pasuron Bazën e të Dhënave me një pasaportë të plotë për përdoruesit, duke përkufizuar kështu qartë rregullat e regjistrimit. Për ta kuptuar më qartë, po i referohemi sërish asaj që thotë VKM-ja 354, që ndonëse është shfuqizuar shërben si udhëzues teknik për procedurën: “Në rastin e identifikimit të një numri të ri IMEI, i cili operon me një prej operatorëve të telefonisë celulare, që janë të licencuar në Republikën e Shqipërisë, njoftohet menjëherë operatori i cili bën regjistrimin e numrit IMEI në listën gri. Operatori kontakton menjëherë përdoruesin e numrit celular për të marrë në rrugë telefonike të dhënat personale të tij dhe për ta njoftuar atë për detyrimin për regjistrimin e numrit IMEI të aparatit celular të përdorur prej tij, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke filluar nga ai çast”. Pra askush, që është subjekt i ligjit, nuk mund të “shpëtojë” nëse mund të themi kështu nga detyrimi për të regjistruar numrin e celularit. Përndryshe do t’i bllokohet shërbimi. Në rastin që po flasim, detyrimi përfshin tatimpaguesit kryesisht, për të cilët siç thanë aplikohet edhe gjoba. Nga ana tjetër krijimi i bazës së të dhënave, i jep status ligjor çdo veprimi apo akti që lidhet apo ka të bëjë me këtë të dhënë.
Kush ka të drejtë aksesi në bazën e të dhënave? Kush “kontrollon”?
Ja se çfarë thotë projektligji për të drejtën e aksesit në Bazën e të Dhënave: “Baza e të dhënave të numrave IMEI aksesohet nga të dy palët e interesuar, si nga depozituesit e informacionit që janë importuesit, tatimpaguesit shitës me shumicë dhe tatimpaguesit shitës me pakicë, ashtu edhe nga inspektorët e administratës tatimore gjatë ushtrimit të kontrolleve”. Mbetet e paqartë se për cilën arsye shitësit e aparateve duhet të kenë të drejtë aksesi në Bazën e të Dhënave, përveçse në rastet kur përmbushin detyrimin e ngarkimit të të dhënave të reja.
A ka siguri në menaxhimin e bazës së të dhënave?
Përgjegjësia për këtë çështje i ngarkohet Ministrisë së Financave, por ka të paktën dy raste, kur garancitë në këtë drejtim janë vënë sëriozisht në diskutim dhe ende sot nuk ka një fajtor, a një përgjegjës. Rasti i parë është incidenti me kamerat e kryeministrisë në ngjarjet e 21 janarit, ku ndërhyrja u bë evidente. Rasti i dytë, më i prekshëm, ishte prekja e serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të cilën ende nuk dihet se çfarë është bërë. Burime flasin se implikimi mund të jetë deri afër ndonjë anëtari qeverie, por këto mbeten në kuadër të spelullimeve. Fakt është se në këto dy raste sistemi i të dhënave është thyer, aksesuar, por pa marrë një përgjigje ligjore dhe institucionale se çfarë ka ndodhur. Ndaj kur flitet për krijimin e bazës së të dhënave, ky proces do shoqëruar me garanci për shoqërinë, pasi edhe sot që flasim, askush nuk e di me siguri të drejtat që kanë operatorët celularë ndaj të dhënave tona, apo edhe privatësisë.
PS: Disa momente të përpjekjes së parë të qeverisë për regjistrimin e numrave IMEI
Një kleçkë ligjore
Ka një histori ligjore e juridike që e ndërlikon këtë çështje. VKM-ja nr. 354, e 4 qershorit 2014, , u kundërshtua nga opozita e cila përmes Grupit Parlamentar e çoi atë në Gjykatën Kushtetuese, shoqëruar me dy kërkesa: Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe 2. Pezullimin e vendimit nr.354, datë 04.06.2014. Ndërkohë që kjo ndodhi, qeveria bëri një manovër e cila e lë çështjen të hapur. Më 1 tetor 2014, me VKM nr. 642, ajo me shufizoj VKM-në nr. 354, e cila ishte ndërkohë objekt shqyrtimi në Gjykatë Kushtetuese. Duke krijuar këtë gjendje fakti, qeveria e vuri gjykatën para një fakti të kryer, që për pasojë solli moshqyrtimin e përputhmërisë kushtetuese të VKM nr. 354 por vetëm pezullimi e tij. Argumenton gjykata në vendimin e saj, nr. 57, datë
5 dhjetor 2014: “Pas pezullimit të çështjes, gjatë shqyrtimit në themel të saj, Gjykata konstatoi se Këshilli i Ministrave, në datën 01.10.2014, ka miratuar vendimin nr. 642 (më poshtë “VKM nr. 642/2014”) me anë të të cilit ka shfuqizuar VKM nr.354/2014 “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, objekt shqyrtimi.
13. VKM-ja nr. 642/2014 e lartpërmendur, që parashikon se hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 154, datë 08.10.2014. Pra, ka hyrë në fuqi në datën 08.10.2014. Kjo rrethanë u parashtrua edhe nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave.
14. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në rastin konkret ndodhet në kushtet kur VKM-ja nr. 354/2014, objekt shqyrtimi, i ka përfunduar efektet e saj. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se çështja mbetet pa objekt dhe se gjykimi i saj duhet të pushohet”.
E thënë thjesht: është e vërtetë që vendimi i mëparshëm i qeverisë u shfuqizua prej saj dhe se gjykata bëri pezullimin e zbatimit të tij, por ne sot nuk kemi një vlerësim për kushtetueshmërimë e këtij vendimi. Edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është shprehur pro VKM-së nr. 354, me arsyetimin se “komisioneri mbikëqyr administrimin e bazës së të dhënave dhe nuk kundërshton krijimin e tyre”.
A do të huazohet nga VKM-ja nr. 354?
Do të jetë ministri i Financave, ai që do të hartojë një udhëzim në zbatim të ndryshimeve ligjore në fjalë. Por çfarë do të përmbajë ky udhëzim, në kushtet kur vkm-ja e shumëpërfolur nuk është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Është herët për ta thënë, por është e pranueshme të mendohet se shumëçka që përmbante VKM-ja nr. 354 të përfshihen në udhëzim.
Mendimi i pakicës në Gjykatën Kushtetuese
Meriton vëmendje, ajo që dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gami Dizdari dhe Vladimir Kristo, kanë shprehur gjatë marrjes së vendimit të saj, të cilin e kundërshtuan: “...Nisur nga fuqia detyruese e vendimeve të kësaj Gjykate, si dhe nga rëndësia e veçantë që merr kontrolli i pajtueshmërisë me Kushtetutën i ligjeve apo i akteve të tjera normative, me qëllim garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, jemi të mendimit se marrja në shqyrtim e kushtetutshmërisë së VKM-së nr.354/2014, edhe pse nuk do të kishte efekte të drejtpërdrejta në rastin konkret, në këndvështrim të standardeve kushtetuese, paraqet interes si në rregullimin e disiplinës ligjore objekt shqyrtimi për të ardhmen, ashtu edhe në konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës së kësaj Gjykate në këtë aspekt. Për më tepër, në çështjen objekt shqyrtimi, ajo paraqet rëndësi në funksion të mbrojtjes së interesit publik, duke konsideruar parime të tilla si ai i shtetit të së drejtës, por edhe ndjeshmërinë dhe sidomos pritshmëritë e qytetarëve për garantimin e jetës private, të cilat kërkuesi pretendon se janë cenuar...Së fundmi, vlerësojmë se përcaktimi, rast pas rasti, i parimeve kushtetuese në fusha të rëndësishme në drejtim të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit (si ajo e mbrojtjes së jetës private), i shërbejnë stabilitetit juridik të vendit si një kusht i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të së drejtës, në mënyrë që të evitohen ndryshimet e shpeshta në legjislacion, të cilat mund të çojnë në cenim të parimit të sigurisë juridike”.
Add new comment