Një ekonomi që ka ngecur në vend..., në udhëkryq dhe ende pa busull

Postuar në 01 Shtator, 2015 17:18

Ka nisur beteja kundër informalitetit dhe qeveria vetë ka krijuar pritmëri thuajse absolute për këtë operacion. Çdo gjë mbetet për t’u parë, pasi jemi ende në fazën e spektaklit të kuponave në shitësit ambulantë. Ministri i Financave theksoi sot edhe shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, si për të vënë në një bazë morale të drejtën e qeverisë që kërkon tani detyrimet që i takojnë. Mirëpo kjo është njëra anë, pasi në krahun tjetër, është vetë kryeministri që e lidh rënien e të ardhurave dhe krizën e tanishme, me një moment kalimtar që vjen nga ndryshimi i modelit ekonomik? Por cili është ky model i ri? Në një editorial të vetin, revista ekonomike “Monitor”, bën këtë vëzhgim: “Duke renditur 200 kompanitë më të mëdha të vendit, këtë radhë pamë se burimet e vjetra të rritjes ekonomike janë drejt shterimit apo se disa tregje të tjera janë të maturuara. Nga ana tjetër ka biznese që akumulojnë xhiro të mëdha, por shumë pak fitime dhe me fare pak ndikim në punësim apo në rritjen ekonomike. Këto ishin fakte të ditura, por sa janë rënduar në vite. Këtë radhë, vërejmë dy tipare që janë më të rënda për perspektivën ekonomike. Së pari, sepse lindja e bizneseve në disa sektorë është rastësore, që lidhen me koniunktura të përkohshme të tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Së dyti, sepse paraja e konsumuar po rrjedh me shpejtësi drejt bizneseve të lojërave të fatit, që si sipërmarrje nuk janë të pista, sepse janë thjesht biznese, por që zhvillimi ekonomik nuk mund të mbështetet mbi to, pasi bjerr rëndë bazën konsumatore, e cila në mungesë të perspektivës së punësimit, ka zgjedhur të provojë fatin. Por nëse për individët, zgjedhja e fatit është rastësore, për ekonominë kombëtare kjo nuk mund të jetë e tillë, sepse do të ishte e rëndë nëse do të pranojmë se po luajmë kumar me mirëqenien tonë”. Konfirmohet kështu, nëse kjo është e vërtetë, edhe paradoksi i një qeverie që pagëzoi qeverisjen me luftën kundër lojrave të fatit(të paligjshme), e cila sheh sot që një orientim të konsumit drejt provës së fatit! Kjo flet shumë edhe për klimën psikologjike që është krijuar, sa kohë konsumi në një biznes si lojërat e fatit është njëkohësisht edhe investim. “Monitor” tërheq vëmendjen te nevoja për të orientuar ekonominë drejt një profili të ri. Të mbledhësh të ardhurat është njëra anë, sikurse të luftosh informalitetin dhe evazionin, por kjo politikë është pa të ardhme, nëse realiteti është ky që na sugjeron revista: biznese drejt falimentimit, por edhe sektorë që po shkojnë drejt parazitizmit.
http://www.monitor.al/?p=143136

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.