Ligji mbi koncensionet, mungojnë aktet nënligjore ndërsa po jepen me koncensione sektorë që s'janë parashikuar në ligji
Në Tiranë, Instituti Shqiptar i Shkencave bëri të ditur se ligji mbi koncensionet ka mbetur pa një seri aktesh nënligjore, por megjithatë zyrtarët po japin kontrata koncensionare. Sipas studimit të këtij Instituti, autoritetet nuk kanë krijuar regjistrin koncensionar dhe nuk kanë përcakuar rregullat e këtyre proceseve për koncensione. Autorët e studimit, pohojnë se transparenca nuk është e plotë sa i takon llogaritjeve në vlerën e koncensioneve. Instituti Shqiptar i Shkencave shprehu shqetësim se autoritetet në Tiranë po japin koncensione edhe për sektorë, që nuk janë parashikuar në ligjin për koncensionet dhe partneritetin publik-privat. Sipas studimit të këtij Instituti, regjistri koncensionar nuk është krijuar ende, ndërsa këshilli i ministrave, i cili ka detyrimin të nxjerrë aktet nënligjore për funksionimin e tij, ende nuk i ka hartuar ato. “Mungojnë një seri aktesh nënligjore që burojnë nga ligji për koncensionet. Janë mbi 10 nene të ligjit, ku parashikohet drejtpërdrejt detajimi i rregullave me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave. Janë dhënë kontrata koncensionare, por këto akte nënligjore nuk janë miratuar ende. Regjistri koncensionar duhet të japë informacion për vlerësimin e projektit para se të jepen koncensionet dhe para se të krijohen partneritetet publik-privat”, thotë për “Zërin e Amerikës” drejtuesja e Institutit, Aranita Brahaj.
Add new comment