Jashtëtokësorët/Tre autorë propozojnë kërkimin e jetës përmes gjurmimit të “vdekjes”
A ka jetë diku tjetër? Apo jemi të vetëm në univers? Pyetje që duket se nuk do të marrin përgjigje për një kohë të gjatë, ndonëse shkenca është vënë në kërkim të jetës jashtëtokësore. Mjetet teknologjike kanë shumëfishuar kapacitetin njerëzor për të gjurmuar botë të tjera, por deri më tani nuk ka gjë konkrete. SETI, apo Search for Extraterrestrial Intelligence, është programi më i njohur në këtë drejtim. Por së fundmi tre autorë, Adam Stevens, Duncan Forganand Jack O’Malley James, sugjerojnë një qasje tjetër. E cila mund të quhet edhe SEETI, apo Search for Extinct Extraterrestrial Intelligence, apo kërkimi për qytetërime të zhdukura. Studimi i plotë gjendet këtu: http://arxiv.org/pdf/1507.08530v1.pdf, kurse një përmbledhje e bën Mark Strauss në “National Geographic”.
Ideja është që kërkimi për jetën inteligjente synon t’i japë përgjigje atij që quhet Paradoksi i Fermit e që nënvizon kontradiktën mes mundësisë së madhe të ekzistencës së qytetërimeve të tjera dhe mungesës së provave që njeriu ka për këtë gjë. Autorët e mësipërm u sugjerojnë astronomëve që të ndryshojnë qasjen: të kërkohen shenjat e jetës, përmes provave të vdekjes, apo shkatërrimit. Lufta bërthamore, lufta biologjike, zhdukjet në masë çojnë në reaksione kimike masive, të detektueshme nga jashtë. “Përfytyroni një skenar ku lufta biologjike shfarros popullsinë e një planeti. Mikroroganizmat që shkaktojnë dekompozimin do të shumonin veten mbi kufomat aliene. Duke bërë këtë, ato do të...çonin në rritjen e madhe të nivelit të metanit dhe etanit në atmosferë. Nëse popullsia e botës aliene do të ishte e krahasueshme me atë të Tokës, metani dhe etani do të asgjësoheshin për një vit, kështu që do të kishim një mundësi të vogël për të gjurmuar kataklizmën”, shkruan Strauss.
Një mundësi më e madhe për t’u gjurmuar është lufta bërthamore që lë gjurmë për një kohë të gjatë dhe tjetërson atmosferën. Autorët marrin parasysh edhe shkatërrime nga veprime artificiale, të tilla që sjellin shkatërrimin e eksoplanetëve. Në çdo rast, gjasat janë që shenja e parë e jetës jashtëtokësore të vijë nga shenjat e vdekjes, të cilat sipas tre autorëve do t’i japin njerëzit edhe provën që po e kërkon kaq shumë, por edhe “mençurinë”.
Add new comment