Rekomandime për KLD-në: Prokuroria të sjellë prova për arrestimin e gjykatësve
"Prokuroria të sjellë prova për arrestimin e gjyqtarëve". Misioni Euralius në një raport të fundit sugjeron që ligjvënësi të ofrojë garancitë e nevojshme për gjyqtarët.Në këtë raport që publikohet nga “Top Channel”, misioni Euralius shprehet për maturi, duke rekomanduar që të parashikohet me ligj, që pozicioni i Prokurorisë kur kërkon autorizim nga KLD-ja për arrestim gjyqtari, të mos jetë aq i lehtë sa deri më tani. Sipas Euralius, duhet të paraqitet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë jo vetëm me raport me anë të të cilit kërkohet autorizimi për arrestim, por të bashkëngjisë edhe provat për dyshimet përkatëse. Ky rekomandim vjen menjëherë pas arrestimeve në kushtet e flagrancës të gjyqtarëve Parashqevi Ademi dhe Rasim Doda, për dyshimet se kishin konsumuar veprën e korrupsionit.
Euralius thotë se kur një gjyqtar arrestohet në flagrancë, Prokurori duhet të kërkojë autorizimin menjëherë dhe në çdo rast para seancës vlerësuese nga Gjykata. Por sipas ligjit, shton Euralius, parashikon dy lloje të ndryshme shqyrtimi të një arrestimi, edhe është Gjykata ajo që vlerëson ligjshmërinë e arrestimit. Ndërsa kërkesa për autorizim ka një objektiv tjetër që ka lidhje me pikëpyetjen: A cënon ky arrestim imunitetin e gjyqtarit?
Për Euralius mund të konsiderohet e përshtatshme që të parashikohet me ligj paraqitja e provave, bashkë me raportin, kur ato janë të disponueshme dhe kur kjo paraqitje nuk vë në rrezik hetimin, boshllëk që duhet të rregullohet nga ligjvënësi. Në rekomandimin e dytë, Euralius sugjeron rishikim nga ligjvënësi edhe për mbledhjet e KLD-së si organ kolegjial kur ato janë të vështira të realizohen në kushtet e urgjencës apo të rrethanave të paparashikuara.
Add new comment