Ahmetaj ua faturon kompanive çmimin e lartë të naftës: Nuk e taksojmë fort
Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, deklaroi për “Top Channel” se rritja ekonomike e vendit është përshpejtuar, pavarësisht situatës së vështirë në vendet fqinje. “Kjo ekonomi po rritet edhe në mungesë të kreditimit. Së pari besimi; indekset e besimit të sipërmarrjes dhe të konsumatorit janë rritur, së dyti, është aktivizuar prodhimi i vendit dhe së treti, kemi mundur të krijojmë besim tek investitorët e huaj. Vetëm në 3-mujorin e parë të vitit 2015 arritëm të vendosim një rekord të tërheqjes së investimeve të huaja; 268 milionë euro”, tha Ahmetaj.
Gjatë intervistës për “Top Channel”, ai foli edhe mbi një çështje, e cila prej muajsh ka shkaktuar debate të forta jo vetëm politike, që është ajo e çmimit të naftës. Sipas tij, Shqipëria nuk i takson më fort se vendet e tjera karburantet, por diferencat në çmime shkaktohen nga taksa e qarkullimit, të cilën vendet e tjera e paguajnë mbi automjetet. Por veç taksave, konsumatorët shqiptarë paguajnë edhe një tjetër fenomen, atë të ngurtësisë së tregut, pasi tregtarët nuk i ulin çmimet kur ato bien në bursa. Ndonëse në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës prej muajsh është në një rënie të fortë, në tregun e brendshëm ai kanë mbetur në nivele të larta përgjatë gjithë kësaj kohe. “Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës, por shpesh shihen sjellje nga kompanitë që përpiqen të dominojnë tregun. Këtu ka nevojë për një monitorim akoma më intensiv nga strukturat qeveritare”, thotë Ahmetaj.
Add new comment