Nafta, çmimi ulet në vjeshtë. Ndoshta...
Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare vijon të ulet, duke kalur kuotën e 46.8$ për fuçi, shumë afër çmimit më të ulët të janarit të këtij viti. Në mënyrë konstante, çmimi i naftës sjell në vëmendje çmimin që aplikohet në Shqipëri, ndër më të lartët në Europë. “Monitor” raporton se në muajin shtator pritet gjithsesi një ulje, por pa saktësuar sesa. Revista i referohet “aktorëve të tregut”, të cilët operojnë në një treg ku çmimi asnjëherë nuk përputhet me prirjet e tregut ndërkombëtar. E megjithatë arsyet nuk mungojnë përherë. P.sh thuhet se “disa arsye të tjera që mbajnë çmimin e lartë janë kosto e rezervave të detyrueshme 90 ditore, informaliteti i lartë në një treg që nuk është shumë funksional (ka shumë hyrje e dalje të kompanive nga tregu), taksa e qarkullimit prej 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 dhe dollari më i shtrenjtë (në janar 2014 ishte 103 lekë, sot është rreth 127 lekë)”. A i përgjigjen këto pretendime të vërtetës? Kjo nuk ka rëndësi. Sa kohë një dyqanxhi lagjeje do të nxitojë me frikë të shtypë kuponin në kasën fiskale dhe distributorët e karburanteve do të livadhisin në këtë mënyrë, nuk është çudi që çmimi të rritet edhe sikur në botë nafta të shpërndahet falas.
Add new comment