Shënim: Asgjë e re nga “Komuna e Parisit”

Postuar në 18 Gusht, 2015 15:32
Leonard Veizi

Duket sikur e ka marrë seriozisht kryetari i ri i Bashkisë, Erjon Veliaj, me Njësinë nr. 5, e pikërisht me zonën që në hartë mund ta gjesh si: Rruga “Medar Shtylla”, por që në zhargonin e përditshëm të njerëzve ajo njihet edhe me emrin “Komuna e Parisit” ose akoma më thjesht “Xhungla”.

Po i rikthehem edhe një herë kësaj teme, meqenëse para pak kohësh botova një artikull me titull “Komuna e Parisit, modeli i shëmtuar i kapitalizmit shqiptar”. Nuk është se kam ndryshuar mendim. Përkundrazi, tani më duket e shëmtuar dhe e frikshme njëkohësisht. Sepse jam banor i vjetër i kësaj zone të re urbane. Dhe në pamundësi për t’i ikur këtij kaosi, dua të paktën që ajo të futet në binarë. Një miku im e shiti shtëpinë që e kishte marrë me qejf të “Komuna e Parisit”, apo lagja e bosave, siç kanë dëshirë ta cilësojnë ca e ca. “Çfarë bosash o të keqen, - ma ktheu miku im, kur unë e pyeta se pse ishte larguar nga ajo lagje e “preferuar”, e pasi ishte sistemuar me shtëpi të re në një lagje gjithashtu të re. - Qëndrova 6 vite te “Komuna”, m’u shkurtuan 12 vite jetë, 6 nga perëndia e 6 nga qeveria”.

Por një mëngjes, tek dëgjoja lajmet dhe premtimet e reja të kryetarit Erjon, nuk e di pse më kapi ngazëllimi dhe mendova se do të kishte ditë të bardha edhe për ne. Ka tre ditë që përgjatë kësaj rruge e nëndegëzimet e saj vijnë fadroma shoqëruar me ekipe policësh. Zhurma e tyre ndihet që në mëngjes. “Për hajër”, mendova ditën e parë, e që për çudi qëlloi dhe e diel, kur i pashë të ishin sulur me kokë për ta sistemuar xhunglën e Tiranës. Njerëzit shkonin në plazh, Bashkia punonte. Pak ju duket kjo?

Tanimë u bënë tre ditë që aksioni vazhdon. Por ajo që më bën çudi është se nuk shoh asnjë ndryshim. Domethënë, xhungla vazhdon të mbetet xhungël. Thjesht janë hequr ca gurë, ca blloqe betoni, hekura e zinxhirë me të cilat ca të “privilegjuar” siguronin benzat, e ndonjë mur rrethues shtëpie në thellësi, ku si bie në mend kujt me kalu përveç të zotit të banesës. Rruga “Medar Shtylla” apo “Komuna e Parisit” siç jemi mësuar ta njohim para se ajo të pagëzohej me emrin e ri, është po e njëjta që ka qenë dhe në vitet ‘90 kur e gjithë zona kishte vetëm sera dhe toka bujqësore. Është po aq e shtrembër e me gunga, dhe po aq e ngushtë. “Veprat e artit” që kanë ngushtuar trotuaret nuk janë lëvizur vendit. Pallatet janë lartuar me nga 15 kate, aq sa sot habitem që jemi gëzuar dikur me hotelin 15-katësh si ndërtesa më e lartë e Tiranës. Pra është ndërhyrja e dytë brenda disa muajsh në po të njëjtën rrugë, por pa asnjë sukses. Rruga nuk ndryshon. Përveçse trafiku në të sa vjen e shtohet, edhe pse kjo rrugë të lidh me atë segment të unazës së madhe që të çon drejt e tek një Qendër Tregtare, ku mund të bësh “pazar” e “shopping” bashkë.

Që ta mbyll këtë shënim të shkurtër më duhet të them se pa një projekt konkret të zgjerimit të rrugës, të prishjes së shtesave që zënë trotuaret, - sepse përbëjnë precedent për aksidente tragjike kur gratë me karrocat e fëmijëve ecin përkrah makinave, - kjo rrugë nuk do të arrijë të mbajë dot emrin e një intelektuali si “Medar Shtylla” e aq më tepër një emër të madh si “Komuna e Parisit”.

 

Leonard Veizi

Comments

Submitted by altini (not verified) on

Nardi, informohu pak me shume dhe do e kuptosh se te gjitha keto qe kerkon ti do te behen realitet, por jo per 18 dite pune. Mbaje lart frymen e kritikes, gjithsesi.

Submitted by i (not verified) on

Ti informues, kam vetem nje pyetje... me cfare tenderi apo baz3 ligjore ky djali i ri i bashkise po i bene keto punime??? Apo ju lepiresat e sumave nuk ju duhet ligji, mjafton show dhe jeni ne rregull.
Zoteri i dashur jemi ne kapitalizem, qe do te thote shteti nuk i ben punet vet por ja delegon privatit ne baze te zotesise.
Gjithsesi ju lepiresat jeni mesuar qe te merrni pagesen thjesht per lepirje e jo per pune.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.