Rrugët në krizë, s’ka fonde për mirëmbajtje. Klauzola e re: Nëse një projekt tejkalon buxhetin, kontrata bëhet nul
Në 10 vitet e fundit, Shqipëria ka ndjekur një politikë agresive, duke investuar miliarda dollarë në ndërtimin e rrugëve të reja, por tani buxheti nuk ka parà t’i mirëmbajë ato. Neglizhimi disavjeçar i mirëmbajtjes ka bërë që rrjeti të amortizohet. Një raport i fundit i Bankës Botërore përllogarit se, për 5 vitet e ardhshme, Qeveria duhet të shpenzojë 400 milionë dollarë, për të mbuluar mangësitë aktuale në mirëmbajtjen e rrugëve dhe për të mos lejuar përkeqësimin e gjendjes së tyre. Por buxheti i rishikuar nëpërmjet aktit normativ ka shkurtuar fondet për infrastrukturën rrugore me 8.2% dhe ato për transportin detar me 45%.
Këto shkurtime nuk e kufizojnë ndikimin negativ vetëm në mosrealizimin e projekteve, por ka rrezik të rikthejnë sërish borxhet e qeverisë ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve.
Në këtë situatë dhe përballë kërkesave të FMN-së për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt, qeveria ka bërë një rivlerësim te të gjitha projekteve ekzistuese. Në bazë të këtij rivlerësimi, Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një listë, në të cilën do të jenë të renditura projektet që do të financohen. Lista sipas marrëveshjes me FMN duhet të ishte bërë publike para qershorit të këtij viti dhe ato projekte, të cilat nuk janë pjesë e saj, do të anulohen.
Paralelisht në kontratat e reja që nënshkruhen për punët publike, Ministria e Financave ka kërkuar vendosjen e një klauzole, sipas të cilës, nëse projekti avancon më shumë se sa fondi i buxhetuar, kontrata bëhet nul dhe kompania nuk do të marrë asnjë lekë nga buxheti.
Add new comment