“Klubi i Selanikut”, PS e qytetit letër ministrit Bushati për emërimet në konsullatë

Postuar në 18 Gusht, 2015 14:28

Gazeta "Shqip" ka botuar letrën e kreut të degës së PS-së Selanik drejtuar ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Tema është pakënaqësia e socialistëve të Selanikut lidhur me emërimet në konsullatën e këtij qyteti, megjithë tagrin e dyshimtë që ka një degë partie jashtë vendit për emërimet e Ministrisë së Jashtme. Kreu i kësaj dege, Spiro Janaqi, në një letër drejtuar Konsulles së Përgjithshme në Selanik, Pavlina Yllit vë në dijeni edhe ministrin Bushati:

 

“Në emër të grupit tim politik kërkoj sqarime dhe llogari deri në instancat më të larta për këto dy emërime, sepse ideja e përfaqësimit të emigrantëve në fushën diplomatike nga vetë emigrantët, doli pikërisht nga grupi që unë përfaqësoj, ide të cilat ia kaluam zyrtarisht Sekretariatit të Emigracionit, z. Erion Veliaj. Por kurrë nuk patëm qëllim të përfaqësohemi nga njerëz, për të cilët nuk u pyetëm asnjëherë dhe për më tepër kur bëhet fjale për të tillë nivel.

Madje këta të dy, si partiakë, në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin lënë shkas për dyshime dhe afera, për korrupsion dhe mungesë transparencë.

Ju shprehim indinjatën tonë të vendosur.

Artur Porpollogu dhe Merita Hida nuk përfaqësojnë asgjë, madje për ne janë të padëshiruar dhe nuk kanë vend as në konsullatë dhe as në diplomaci. Për këtë ne do të luftojmë me vendosmëri derisa të na jepet e drejta.

Do të doja t’ju pyes, cili është procesi i rekrutimit dhe sa i ligjshëm qe ky rekrutim për dy personat në fjalë? Sa i denjë është formimi profesional dhe arsimor i këtyre personave? Pse gjithë ky proces kalohet në fshehtësi të plotë, pa konkurse dhe transparencë? Sepse jam i bindur që në një konkurs të radhës akoma dhe sekretarja juaj personale, nuk do të mundej të kalonte as në fazën paraprake. Nuk ka mundësi një diplomë e universitetit “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, apo një shkollë e lartë për blegtori e marrë me korrespondencë të jetë e denjë për vende të tilla delikate”.

Comments

Submitted by Robi (not verified) on

Miq te nderuar, sherbimi diplomatik shqiptar sherben VETEM PER QOKA, si ne qeverine e shkuar edhe ne te tashmen. Asgje nuk ka ndryshuar dhe mos prisni te ndryshoje. Emigranteve (kam qene i tille vete) iu sugjeroj te presin çdo lidhje me kete vend qe iu ka hequr te drejten e votes dhe i sheh vetem si lope per t'i mjelur. Nostalgjia dhe malli i ben te mendojme se mund te ndihmojne Shqiperine -- bejini nje favor vetes dhe femijeve tuaj dhe harrojeni kete vend. Kerkon vetem leket tuaja, asgje me shume. Te gjithe te tjerat jane pallavra. Behuni greke, italiane, gjermane, amerikane e australiane te mire. Shqiperine e moren hajnat, i vune zjarr.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.