Pronarët: Deputetë të PS e PD po vjedhin tokat në bregdet me dokumente false
Fushatë e re grabitjesh pronash në bregdet. Ky është alarmi që japin shoqatat e ish-pronarëve. Krerët e shoqatave thonë se zyrtarët e lartë të PD dhe PS po bëjnë kërdinë me pronat në zonat me përparësi turizmin, po përvetësojnë dhe po tjetërsojnë qindra-mijëra hektarë tokë Sipas gazetës “Sot”, kreu i Shoqatës “Pronarët e Myzeqesë”, Stavri Semanjaku, deklaroi se pronat në bregdet po vidhen me shumicë nga politikanët dhe persona me dokumente false bëhen pronarë në tokë të të tjerëve. Në kërdinë e vjedhjes së tokave me përparësi turizmin, Semanjaku, përfshinë edhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kryetari i shoqatës “Pronarët e Myzeqesë” nënvizoi se dhënia e tokës me 1 euro në zonat me përparësi turizmin ka qenë një proces shkatërrues i pronësisë në bregdet. “Me pronat po bëhet kërdia. Deputetë të djathtë dhe të majtë po testojnë pronat. Nëpërmjet këtyre hajdutëve, që janë miqtë e tyre, kanë përfituar me 1 euro prona në bregdet dhe janë njohur pronarë me dokumente false njerëz, miq të zyrtarëve. Edhe pse pronarët protestojnë askush nuk i dëgjon”, deklaroi gjithashtu për gazetën “Sot”, kreu i Shoqatës “Pronarët e Myzeqesë”, Stavri Semanjaku. Këtë fakt e deklaroi edhe kryetari i shoqatës “Borshi”, Ylber Hysi. Sipas kreut të kësaj shoqate, gjithë tokat e Borshit në Sarandë, janë vjedhur nga deputetët. “Borshin e kanë shitur komplet politikanët”, deklaroi Hysi. Ndërkohë, nëse Gjykata Kushtetuese e miraton ligjin e qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave në formën që është aktualisht, krerët e shoqatave deklarojnë do ta ankimojnë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Add new comment