Incidente nga ekstremistët në Turqi, dy gra qëllojnë me armë konsullatën e SHBA
Një seri sulmesh që ndodhën sot në Turqi, kishin në shënjestër policët dhe ushtarët, duke lënë disa të vdekur. Një tjetër incident kishte si objektiv konsullatën amerikane në Stamboll. Konsullata u qëllua me armë nga dy gra, të cilat arritën të ikin nga vendi i ngjarjes pasi policia u kundërpërgjigj, por më vonë njëra prej tyre u arrestua. Sulmi ndaj konsullatës amerikane në Stamboll u krye nga dy gra, njëra prej të cilave u kap e plagosur, tha sot zyra e guvernatorit të Stambollit. Policë të armatosur rrethuan zonën pranë konsullatës amerikane në lagjen Sarıyer në pjesën evropiane të Stambollit pas sulmit me armë që ndodhi atje. Agjencia e lajmeve “Dogan” tha se gruaja e arrestuar ishte e moshës 51 vjeç dhe kishte bërë burg si anëtare e dyshuar e organizatës së ekstremit të majtë Fronti i Ushtrisë Revolucionare Çlirimtare Popullore. Kjo është një organizatë anti-amerikane dhe klasifikohet si grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia. Turqia vazhdon të jetë në gjendje gatishmërie të lartë që nga fillimi i luftës së saj “të sinkronizuar kundër terrorit" muajin e kaluar, e cila përfshin sulme ajrore kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri dhe militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në Irakun verior.
Add new comment