Ngjela ‘këshilla’ për Ramën: Duhet të delegojë pushtet, ndryshe do të ikë në shtëpinë e tij pa lënë asnjë gjurmë
Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i sugjeron kryeministrit Rama që të delegojë pushtetin, pasi nuk mund t’i drejtojë të gjitha vetë. Në një koment në profilin e tij në “Facebook”, Ngjela shkroi se: “Para së gjithash, Rama duhet të fillojë të delegojë pushtetin, sepse e ka të pamundur me një imposibilitet absolut që të mund t’i drejtojë të gjitha vetë. Nuk e kuptonte dot kur erdhi në pushtet, por nëse nuk e ka kuptuar ende, do të ikë në shtëpinë e tij pa lënë asnjë gjurmë në zhvillimin historik të këtij vendi, njëlloj si edhe të tjerët. Pse i duhet absolutizmi një kryeministri, shteti i të cilit nuk ka para? Vetëm nga patologjia, por kjo s’mjafton. Paratë sigurisht që gjenden me politikë, por ja që politika e sotme nuk është ajo e viteve gjashtëdhjetë. Që të përfitosh materialisht nga Perëndimi dhe të nisë zhvillimi real në Shqipëri, duhet zhbërë absolutizmi shqiptar”, shkruan Ngjela.
Ngjela, i kërkoi Kryeministrit Rama t’i japë fund sa më parë pushtetit gjyqësor të korruptuar përmes reformës në drejtësi. Përmes një postimi në “Facebook”, Ngjela shkruan se me këtë reformë, Rama ka në dorë të shkruajë perspektivën shqiptare, por duke u shkëputur më parë nga absolutizmi i pushtetit. “Kryesorja është se çfarë programi të ri ka qeveria aktuale. Deri tani asgjë të re. Ajo nuk po pranohet realisht nga politika amerikane, dhe janë ngrirë gjithashtu marrëdhëniet politike me Bashkimin Europian. Merkeli erdhi në Shqipëri dhe kërkoi institucionalizimin e shtetit shqiptar. Gjithçka që duhet të ndodhë duhet parë si një shkëputje nga absolutizmi. Politika perëndimore e di që absolutizmi shqiptar është prezent, edhe pse është rrëzuar një absolut si Sali Berisha. Nuk ka mjaftuar, sepse nga Rama priteshin reforma institucionale në funksion të pushtetit. Institucionalizimi i ri i shtetit shqiptar është një vepër e madhe, të cilën ky kryeministër as që ka filluar ta mendojë realisht drejt, edhe pse kuptohet që e dëshiron. Pikërisht këtu është bllokimi i politikës së tij me botën politike perëndimore”, shkruan Ngjela.
Comments
Per mendimin tim nuk kuptohet
Per mendimin tim nuk kuptohet nga masa e gjere se cfare konkretisht keshillon Spartak Ngjela per Ramen
Add new comment