Spartak Ngjela: Dyshja Rama-Meta është drejt ndarjes
I pyetur nga Gazeta “Sot” mbi zhvillimet e fundit politike në vend, avokat Spartak Ngjela nuk heziton të deklarojë se kryeministri Edi Rama është i paaftë dhe jo një politikan. Ndërsa qeverinë e konsideron të papërmbushur në misionin e saj për reformat e premtuara, duke e cilësuar si një qeveri të ardhur dje në këtë detyrë. Për Ngjelën, koalicioni qeverisës nuk ka të ardhme. Sipas tij, vazhdimësia e koalicionit të majtë nuk do të jetë e gjatë për shkak të disa faktorëve, ndër to më kryesori, përplasja për ndarjen e pushtetit. Ngjela bën përgjegjës direkt kryeministrin Edi Ramën, të cilin e kritikon për paaftësi politike dhe menaxheriale. Ndërkaq, lidhur me qeverisjen 2 vjeçare të koalicionit PS-LSI, Ngjela shprehet se për shkak të mosmarrëveshjeve të herëpashershme mes këtyre dy forcave politike janë bllokuar reformat më të rëndësishme në vend. “Koalicioni është pa të ardhme. PS-LSI është një koalicion pa vlerë, pasi janë bllokuar reformat dhe nuk ka pasur barazi politike, që në momentet e nisjes. LSI i ka marrë PS ministri të rëndësishme si atë të Transporteve, Bujqësisë, etj. Ky është një koalicion me fund të shpejtë. Në këto kushte, PS është e rrezikuar në 2017. Pse nuk e ka zgjidhur Rama këtë? Është paaftësi politike. Rama nuk është politikan. Të shohim çdo bëjë më vonë”, deklaroi Ngjela. Ai thotë se koalicioni PS-LSI në fillim u bë për të shpëtuar të majtën dhe për të siguruar fitoren, por ky bashkim sipas tij, tashmë po tregon se po dëmton vetë PS.
Ndërkohë Ngjela kritikon ashpër dhe punën e qeverisë. Ai thotë se koalicioni qeverisës nuk ka realizuar synimet e tij. Ngjela shprehet se qeveria ka ngecur në një sërë reformash dhe kjo e dëmton atë në sytë e qytetarëve.
Add new comment