Pranohet dështimi, por jo përgjegjësia. Rasti “Fullani” dhe rasti “Beqja-Cani”
Para disa ditësh kryeministri njoftoi publikisht se nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Një qëndrim që pasoi një muaj thashethemesh dhe aludimesh se koha për të rifreskuar kabinetin kishte ardhur. Si duhet konsideruar ky vendim? Ndryshimet në qeveri për Edi Ramën, në planin formal nuk kanë kosto. Ministrat që ai drejton nuk janë deputetë dhe në çdo rast, nxjerrja e tyre nga drejtimi administrativ, nuk konvertohet në ndonjë rrezik vote në Parlament. Jemi në vitin e tretë të qeverisjes dhe është e logjikshme që të mendohet për të korrigjuar diçka. Mirëpo kryeministri mendon të kundërtën. Madje vendos të ecë me këta bashkëpunëtorë, ndonëse bilancet nuk i ka të mira. Ka të paktën dy raste, ky interesi publik, por edhe ai politik i mazhorancës, teorikisht do të pajtohej në nevojën e rishikimit të shumëçkaje. Rasti i parë është ai i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse lëmë mënjanë premtimet utopike të programit, kemi sërish një sektor ku evidentohen probleme. Një ministër që prodhoi përplasje edhe për testimin e personelit mjekësor, i vënë në dyshim edhe në aspektin juridik. Së fundmi po përflitet nga opozita edhe një koncesion si ai i shërbimit të dializës. Por rasti më flagrant është skandali i ISKSH-së, me rimbursimin e barnave, dëmi ekonomik i të cilit llogaritet se është 1.5 miliardë lekë. Kryeministri tha se ky është një skandal “i zbuluar nga ne”. Mund të jetë e vërtetë, por përmasa e skandalit është e tillë që kërkon marrje përgjegjësish edhe në nivel politik. Mund të tingëllojë ironike, por formalisht vendimin më korrekt e mori LSI me drejtorin Rajonal Pjerin Xhuvani. Dhe nga kjo drejtori deri te ministri, qëndron një fill shumë i padukshëm distance në kuptim të përgjegjësive.
Për të bërë një krahasim, le të kujtojmë këtu shembullin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Edhe aty, ishte Fullani që bëri denoncimin, vetë BSH e hapi çështjen, por flagranca e vjedhjes dhe shtrirja e saj në kohë çuan në irritimin e përgjithshëm dhe kërkesën për dorëheqje të ish-Guvernatorit. Dhe me të drejtë. Sot Fullanit i janë “ngjeshur” edhe akuza të tjera, me sa duket për shkak të gërryerjes së akuzave penale që lidhen me vjedhjen në fjalë. Dhe le të kujtojmë qëndrimin e politikës asokohe, përfshirë kryeministrin. Heshtje e plotë, deri sa...interesi politik solli shfaqjen e prangosjes me kamera. Në rastin aktual kemi një korrupsion të shtrirë nëpër drejtori, çka na lë të dyshojmë se ministri ka lejuar për dy vjet që një grup njerezish të livadhisin. Rasti tjetër dështimi spektakolar është ai i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Dy njësi shtetërore që pranojnë zyrtarisht mungesën e 134 milionë dollarëve në të ardhura, krahasuar me planin. Dhe planin, parashikimin dhe ndjekjen në proces e kanë përpiluar po këta. Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Kush mban përgjegjësi, pasi ky nuk mund të jetë aksident financiar? Në të njëjtën ministri, nuk thuhet asnjë fjalë për bilancin e punës në Dogana, ku operon kompania “Crown Agents”. Thjesht bilanci i saj, inkuadrohet në panoramën e përgjithshme.
Këto dy raste, janë emblematikë për këtë dy vjetësh të parë të qeverisë. Janë simboli i dështimit në arritjen e objektivave , por nëse nuk ndërhyhet, ato rrezikojnë të kthehen edhe në modelin e reagimit të kësaj qeverie ndaj problemeve. Shqiptarët patën mbi krye një qeveri si ajo e Sali Berishës që përjetoi dorëheqje dhe largime vetëm për çështje skandaloze si Gërdeci, apo “Pango”. Ndërsa për dështime në bilance, apo dyshime për korrupsion, asgjë. Përveçse një dorëheqjeje, si akt personal, nga Ilir Rusmali. Nëse qeveria aktuale ndjek atë model, në emër të “kompaktësisë” atëherë është pak të themi se puna është keq. Zbardhja e problemeve dhe iniciativa për të marrë përgjegjësi e vendos debatin publik në një nivel tjetër dhe krijon mundësi që një pjesë e opinionit të besojë te qeveria, apo edhe të solidarizohet me të. Sot ky është një problem i përgjithshëm në raportet politikë-publik. Të shohim sesi edhe shkrimtari Roberto Saviano, i drejtohej në opinionin e publikuar sot edhe në ResPublica, kryeministrit italian Matteo Renzi, në lidhje me situatën në Jug të vendit: “I dashur Kryeministër, drejtoju popullit e tregoji se çfarë mendon të bësh me Jugun. Ju duhet të tregoni se dini ta kuptoni vuajtjen e një territori të shkretuar. E vetëm atëherë do të keni të drejtë t’i kërkoni popullit të Jugut t’i japë fund retorikës së vendit të bukur, për t’u bërë vërtet protagonistë të një historie të re e ndërtuar duke ecur me këmbët e veta”. Po në Shqipëri ccfarë mendohet të bëhet me ekonominë, korrupsionin, krimin, varfërinë? Askush nuk e di me siguri. Të shpresojmë që qeveri nuk bën pjesë te ky Askush. s.z
Comments
Per dijeni
Miq te mij! Nuk ka raportim te pervecem, vetem per tatimet dhe jo per doganat! Treguesit buxhetit fiskal te konsoliduar jame per te dyja administratat dhe jo vetem por edhe per pushyetin vendor, edhe per lojrat e fatit, edhe per... Pra jane shume ... Gjeni me shume info te www.financa.gov.al
Gjithe te mirat!
Miku Bardhit
Une prisja ndonje reagim tendin ne faqen e ministrise me titull/: E verteta mbi treguesit fiskal..po ik o burre se je bere i bezdisshem duke nderhyre ne cdo vend, a thua nuk merr vesh njeerzia nga keto pune dhe vetem ti je i ndrituri.
Pse ca kujton ti se nuk e dijne keta se nuk raporohen vetem tatimet dhe doganat, po e diojne, por ama tatimet dhe doganat jane mortje dhe prandaj merren me to.
Add new comment