marredheniet shqiptaro greke
Dy fjalë mbi ngjarjet e Bularatit dhe klima problematike e marrëdhënieve shqiptaro-greke
Ceremonia e varrimit të të ndjerit në Bularat ditën e Enjte u ndoq masivisht nga auditori shqiptar dhe ai grek. Preferoj të përdor fjalën “i ndjeri” për të mos qenë pjesë e epiteteve të nxituara që u vendosën nga shumë njerëz në të dy anët e kufirit, konkretisht etiketimit si ekstremist apo si hero. Për të shmangur aspektin teknik të përballjes të armatosur me policinë – pasi për këtë do të duhej një diskutim mes profesionistëve dhe një informacion transparent e shterues – mendoj se duhet të shihen disa dimensione politike e strategjike që shoqërojnë ngjarjen në fjalë.
Incidenti i panevojshëm i Bularatit dhe kompleksiteti i tij
Vetëm pak muaj pas dakordësimit të qeverisë shqiptare dhe asaj greke për zgjidhjen e pjesës më të madhe të problemeve dypalëshe situata u tensionua nga ngjarja e Bularatit. Çdo ditë po bëhet mëse e dukshme se fërkimet dhe tensionet përbëjnë rregullin kryesor në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ndërsa përpjekjet e pakta në numër për t’i futur këto dy vende në rrugën e bashkëpunimit të gjerë e afatgjatë janë të brishta dhe për fat të keq gjerësisht të papranueshme.