Vendimi i Gjykatës/Veliajn e la në burg Kodi Penal, jo "propaganda e SPAK dhe përgjimet"

Postuar në 08 Prill, 2025 23:06

Disa media kanë publikuar pak minuta më parë pkesë nga vendimi i GjKKO-së për keyebashkiakun e Tirsnës, Erion Veliaj, për masën e sigurisë ndaj tij. Nisur nga spekullimet dhe interpretimet e shumta për vendimin dhe sidomos nga akuza se Veliaj u la në burg thjesht për shkak të të dhënave që u mblodhën nga përgjimet, sjellim këtu një pjesë të arsyetimit të Gjykatës: 

Gjykata vlerëson se për personin nën hetim Erion Veliaj ekziston edhe rreziku i recidivizmit në kryerjen e veprës penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në arritjen e këtij përfundimi gjykata mban në konsideratë faktin se, referuar rrethanave të çështjes, ekzistojnë të dhëna që çojnë në konkluzionin se veprimtaria e pastrimit të produkteve të veprës penale të korrupsionit në rastin konkret është kryer për një kohë të gjatë dhe në shuma të konsiderueshme, sikurse u arsyetua më lart. Për këtë shkak, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për veprën penale "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore", në bashkëpunim (nëntë herë), e parashikuar nga nenet 260-25 të Kodit Penal, është evidente që personi nën hetim do të përpiqet të fshehë origjinën e vërtetë të shumave të parave ose sendeve të luajtshme apo të paluajtshme…

Për refuzimin e ‘garancisë pasurore’  gjykata ka çmuar ndër të tjera se:

Një masë e tillë jo vetëm që, sikurse u theksua, nuk kënaq shkallën e nevojave të sigurimit, por në të njëjtën kohë nuk përputhet me natyrën e veprave që dyshohet të ketë kryer ky person nën hetim, të cilat lidhen pikërisht me përfitimin e parregullt gjatë ushtrimit të detyrës të shumave monetare e pasurive të tjera si dhe me fshehjen e burimit të këtyre përfitimeve.

Pra, vendosja e një shume parash si garanci për lirinë e një zyrtari të lartë konsiderohet krejtësisht në kundërshtim me natyrën e veprave penale që synojnë pikërisht mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të vendosura për të parandaluar marrjen prej zyrtarëve në fjalë të përfitimeve të parregullta dhe fshehjen më pas të origjinës së këtyre përfitimeve

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.