Debati i stisur për legjislacionin penal, një përpjekje për ligjërim të parave të krimit dhe korrupsionit

Mediat pranë qeverisë shqiptare kanë shpërndarë sot të përkthyer një shkrim të Andi Hoxhaj, një ekspert i ligjit me banim në Britaninë e Madhe dhe një individ me lidhje të dyfishta me të dyja qeveritë. Shkrimi i sjellë i mëshon idesë se legjilacioni penal në Britaninë e Madhe përfaqëson një ndër shkaqet mbipopullimit të burgjeve duke krijuar premisat për rritje të mosbesimit të drejtësia. Hoxhaj sjell shembuj se asnjë politikë e deritanishme nuk ka arritur të adresojë problemin e kriminalitetit dhe me siguri sipas tij, një politikë e rënduar penale, që sheh te burgu të vetmin dënim, nuk është zgjidhje. Madje Hoxhaj flet për populizëm penal nga të gjitha qeveritë britanike dhe i bën thirrje Keirr Starmer, si ish-drejtues i Prokurorisë Publike të ndryshojë debatin mbi këtë çështje.
Në Angli dhe Uells, një e pesta e popullsisë totale të burgjeve janë të paraburgosur
shkruan ai.
Për një konveniencë në dukje statistikore, Hoxhaj hidhet nga Britania e Madhe te Shqipëria, edhe pse kjo e fundit është tokë e eksperimentimit më të madh me sistemin e drejtësisë në Europë.
Në fillim të këtij viti, Shqipëria kishte rreth 166 të burgosur për 100 000 njerëz. Ajo që është më shqetësuese është se 61,3 % e të burgosurve janë të paraburgosur që ende nuk janë dënuar.
Nuk është çudi që publiku ka një nivel të ulët besimi te sistemi i drejtësisë – në të vërtetë, ai është parë si pjesa më e korruptuar e shtetit shqiptar. Mbyllja e njerëzve në burg pa një gjyq të plotë bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut që i mbrojnë njerëzit nga dënimi i gabuar.
Në një përpjekje për t’u përmirësuar, Shqipëria ndërmori një reformë të madhe në vitin 2016, e fokusuar në verifikimin e të gjithë sistemit të drejtësisë gjatë tetë viteve, i cili përfshinte 805 gjyqtarë dhe prokurorë.
Ai përjetoi një shkallë marramendëse prej 60% të dështimit, duke përfshirë pothuajse të gjithë gjyqtarët kushtetues dhe të gjykatës supreme dhe prokurorët e lartë të rretheve.
Pasuria e tyre e grumbulluar përfshinte vila të shtrenjta plazhi, makina me vlerë të lartë dhe, në disa raste, rezidenca të pasura në qytetet e Evropës Perëndimore, duke përfshirë Londrën, të gjitha të fituara nga korrupsioni.
Shqipëria krijoi gjithashtu Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelin më të lartë.
Deri më tani, SPAK ka akuzuar zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-presidentë, kryeministra, ministra, prokurorë të përgjithshëm dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë.
Si rezultat, Shqipëria ka përmirësuar disi besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale, por nuk ka ndryshuar mënyrën se si zhvillohen gjykimet.
Ndërsa Britania e Madhe nuk ka gjyqtarë të korruptuar si Shqipëria, mbështetja e tepërt e saj në dënimin me burg ka një ndikim të ngjashëm negativ në shoqërinë në përgjithësi. Ndëshkimi është një pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë penale. Por, ideja se qëllimi i vetëm i dënimit është ndëshkimi dhe se e vetmja formë e dënimit që ka rëndësi është burgu duhet të kundërshtohet.
Si vendi im i adoptuar, Britania e Madhe, ashtu edhe vendi im i origjinës, Shqipëria, kanë nevojë për një ndryshim të thellë: një ndryshim kulture që shmang kriminalizimin e panevojshëm dhe shqyrton alternativat ndaj burgosjes
shkruan ndër të tjera Hoxhaj, sjellë në shqip nga media të ndryshme.
Siç mund të shihet shkrimi adreson një problematikë të Britanisë ku ndëshkimi me burg nuk po jep zgjidhjen e kërkuar, madje po bëhet kundërproduktiv. Por a mund të vijë në analogji Britania me Shqipërinë? Sigurisht që jo, sepse siç vë në dukje Hoxhaj, Britania nuk ka gjyqtarë të korruptuar si Shqipëria. Ajo ka një problem strikt të legjislacionit penal, të cilin gjyqtarët janë të detyruar ta zbatojnë. Në Shqipëri problem është “mënyra sesi zhvillohen gjykimet” dhe këtu ka një hendek shumë të madh për t’u konsideruar. Sepse nëse 61.3% janë të paraburgosur ende pa u trajtuar me gjykim duhet të mbajmë parasysh se për cilën kategori po flasim. Dhe të mos harrojmë se 60% e sistemit gjyqësor rezultoi me probleme serioze integriteti.
Ne nuk e dimë arsyen se pse Hoxhaj, që i drejtohet publikut britanik, sjell Shqipërinë si shembull krahasim në shkrimin e vet. Por ne e dimë se shkrimi i tij është qarkulluar në mediat shqiptare me një synim të qartë: goditja ndaj masës së arrestit që aplikohet nga Prokuroria e Posaçme. Nuk është aspak rastësi që “debate” për populizmin penal, apo legjislacionin penal nga yjet e jurisprudencës shqiptare u hap sapo Gjykata Kushtetuese vendosi për përdorimin e SKY ECC dhe menjëherë pasi në arrest u vendosr kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Përdorimi pra i shkrimit të Andi Hoxhajt, OBE dhe filozof për çështjet e Ligjit, është në rastin më të mirë keqdashës dhe në rastin më të keq, i sinkronizuar. Pse? Sepse zoti Hoxhaj nuk na jep asnjë statistikë për të burgosurit në Britaninë e Madhe, ndërkohë që në vazhdën e replikave mes qeverisë dhe SPAK, ky i fundit, që është nën akuzën populiste se po ushtron repression, dha statistika të qarta:
Për vitin 2024, ka kërkuar 236 masa arrest me burg, nga të cilat vetëm 5% prej tyre për korrupsion, 31% për krim të organizuar
Në kuadër të kësaj statistike dhe në kontekstin kur debati për masën e arrestit me burg zhvillohet vetëm për interesa personale apo okulte, cilën masë kufizuese sugjeron z. Hoxhaj? Cili legjislacion penal sugjeron se për krimin e organizuar duhet punë e detyruar në komunitet? Analogjia që sjell zotëria nuk qëndron në interpretimin që provokon pasi SPAK në dallim nga të gjitha prokuroritë e tjera është një strukturë e Posaçme, e krijuar për një rrethanë të jashtëzakonshme si krimi dhe korrupsioni që mbërritën në Shqipëri në atë që bota anglosaksone e quan “state capture”. Nuk ka pra asnjë ngjashmëri mes politikës penale të të dyja vendeve sidomos në luftën ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, qoftë edhe sepse ndryshon katërcipërisht PARADIGMA. Siç thotë Hoxhaj:
Në Britani nuk ka gjykatës të korruptuar
Po shtojmë ne këtu: Ndoshta nuk ka as media që janë zgjatime të krimit!
Vullneti për të vënë në diskutim legjislacionin penal arrin kufinj të rinj, kur avokatë të ndryshëm, që vijnë nga sistemi penal i regjimit të Enver Hoxhës shkojnë edhe më larg. Në një ceremoni të organizuar nga shoqata e Avokatëve Shqiptarë, për ndarjen e çmimit “Toga e Artë”, avokati Idajet Beqiri, fitues i çmimit tha ndër të tjera se:
Përplaset avokati me kauzën dhe gjykatat tona japin vetëm 2% pafajësi. Në Francë, në Gjermani, shkon akuza e prokurorisë në gjykatë dhe avokatët marrin 20% pafajësi
Ndërkohë që avokati Saimir Visha shtonte:
Situatë shumë e rëndë e avokatisë shqiptare, nuk e imagjinonim që kjo reformë të prekte sistemin e avokatisë. Jemi në një sistem inkuizitor. Nuk është minimizuar korrupsioni, por ka ndryshuar formë. Nuk ka ndodhur asnjëherë qe prokurori dhe gjyqtari të caktojnë avokatë. Marrin lekët nga avokatët që caktojnë avokat
Të mbledhura bashkë, të gjitha këto deklarime dhe qëndrime i bëjnë jehonë shqetësimeve dhe ankthit të politikës nga një strukturë e vetme, Prokuroria e Posaçme. Pasi legjislacioni penal nuk është se ka pësuar ndryshime serioze. Debati është i kompromentuar sepse nëse Hoxhaj formalisht të paktën niset nga premisa e dështimit të politikës penale në Britani dhe shkelja e të drejtave të njeriut, qasja e tij merret këtu për të justifikuar mbrojtjen publike që u bëhet njerëzve si Erion Veliaj. Jo për të drejtat e njeriut, por për kapitalin e tij politik të asgjësuar. Dhe interesat që ka gjeneruar.
Mjafton të lexohen raportet e përvitshme të Avokatit të Popullit apo Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për të kuptuar se problemi me të drejtat e të paraburgosurve dhe të drejtat e njeriut në proces gjyqësor, shkelen vazhdimisht. Por askush nuk është shqetësuar për këtë gjë. Ngritja e problemit në këtë fazë dhe sidomos për masat e dhëna nga një prokurori si SPAK që gjykon vepra të caktuara të rënda nga subjekte të caktuara, e bën debatin tërësisht artificial dhe që jo të sinqertë në aspektin e trajtimit teorik të legjislacionit penal në këtë vend. Nuk u hap ky debat as kur në vitin 2020, SPAK vinte në dukje paligjshmërinë e veprimeve të Policisë së Shtetit në më shumë se 50% të akteve të kryera në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Për një qytetar të thjeshtë, që ka zbatuar ligjin dhe ka ndjekurr rregullat, e gjithë kjo zhurmë tingëllon si asgjë më shumë sesa një amnisti për çdo shkelje dhe vjedhje, për çdo veprimtari kriminale pasi mesa duket i ashtuquajturi kapitalizëm shqiptar ka mbërritur në pikën kur ka nevojë të legalizojë dhe ligjërojë të drejtat e veta ekonomike. Dhe kapitalistët e parë janë politikanët.
Add new comment