A ishte shkolla "Skënderbej" një simbol kombëtar?!

Postuar në 27 Mars, 2025 20:47
Skerdilajd Zaimi

 

Në një shkrim publikuar sot, Kristaq Xharo, profesor në Universitetin Europian – shkruan për atë që e quan “Ringritje të Simboleve Kombëtare”. Në këtë shkrim Xharo e prezanton veten edhe si “skënderbegas”. Mes të tjerave Xharo shkruan për nevojën e fuqizimit të ushtrisë shqiptare për të cilën sugjeron se kalon nga  rimarrja e traditës së shkollës “Skënderbej” që ka datë themelimi 28 marsin.

28 Marsi shënon një datë që nuk mund të kalojë në heshtje – pikërisht 80 vjet më parë, mbi gërmadhat e luftës dhe në agimin e një shteti të lodhur, por me shpresë, lindi Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. Ishte më shumë se një institucion – ishte një emblemë, një dritë në horizontin e një kombi që kërkonte të ndërtonte të ardhmen me themele të forta karakteri, atdhedashurie dhe discipline

Për të vijuar mandej se:

E ndërsa bota i mbron, Shqipëria e 1992-shit zgjodhi t’i shkatërrojë. Dhe jo çdo shkollë – vetëm një. Vetëm Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, atë që për dekada kishte formuar breza me ndjeshmëri e përkushtim kombëtar. Nën urdhrin e “gjeniut konstant”, me logjikën e sunduesit që fillon historinë nga dita “zero”, mbi këtë vatër simbol u lëshua rrufeja politike, duke e etiketuar si “vatër jeniçerësh”. Një gjest që nuk lidhej me buxhetet, nuk lidhej as me truallin , por si një akt hakmarrjeje ndaj çdo vlere që nuk i nënshtrohej pasionit të liderit të ri suprem

A qëndrojnë këto konsiderata? A i përgjigjen këto konsiderata të vërtetës historike? E vështirë të thuhet dhe të pranohet një gjë e tillë edhe për një person që ka moshë të re, nëse do të shohë vetëm një video të vitit 1991, kur ushtarakë dhe kadetë të “Shkollës së Bashkuar” kërcënonin në emër të partisë dhe komandantit Enver Hoxha.

Patjetër që klima e asaj kohe nuk është metër për të gjykuar një punë dhe kontribut, por është po kaq e vështirë të vlerësohet si simbol kombëtar një institucion, edukimi bazë i të cilit ishte konsistenca ndaj vijës së një partie politike.

Është jashtë çdo dyshimi se evolucioni i edukimit në atë kohë sa vinte e tentonte të përputhte nacionalizmin dhe enverizmin, për të krijuar një miksturë ku kufijtë e kombit dhe simboleve të tij treteshin në kufijtë e një pushteti.

Çfarë duhet bërë me një institucion të tillë? Organizmi i ushtrisë shqiptare në atë kohë ishte larg edhe ushtrisë naziste, në një regjim që në fund të fundit e ndante veprimin partiak, programin racial nga shtabet e Vermahtit, ndaj edhe denazifikimi nisi me shkrirjen e partisë dhe mori në shqyrtim krimet e bëra sipas rastit nga ushtarakë. Ushtria shqiptare i jepte vendimmarrje operative të barabartë komisarit politik, e ndërtonte të gjithë skenarin e mbrojtjes territoriale mbi kriterin e mobilizimit politik.

Vetë goditja e të ashtuquajturit grup puçist në ushtri dhe heqja e gradave ishte asgjë më shumë sesa një lloj zhvlerësimi tërësor i hierarkive të luftës për të cilat flet Xharo, por edhe hierarkive të tjera jashtë hierarkisë partiake. Cili kriter meritokratik u zbatua në atë ushtri jashtë suazës politike dhe partiake? Dhe kur u provua ushtria shqiptare në 100 vjet shtet sa të themi sot se ajo u shndërrua në simbol kombëtar i referueshëm?

Zoti Xharo citon Samuel Hutington, por ky i fundit e titullon librin: “Ushtari dhe shteti”, ku fjala SHTET lidhet si destinacioni final dhe i vetëm i ushtrisë. Dhe kjo si paradigmë që vinte që nga Prusia. Për cilin shtet mund të flasim në vendin tonë që ta kuptojmë ushtrinë, e ca më tej shkollat e saj si pjesë të një objektivi të përbashkët?

Si është e mundur që në 100 vjet shtet, vetëm gjatë kohës së Monarkisë, ushtria pati në radhët e saj edhe njerëz nga elita intelektuale, apo familjet më të ngritura? Ishin këta që bënë atë Luftë dhe atë ushtri që mandej e masivizoi dhe fshatarizoi e politizoi Enver Hoxha. 

Nuk ka asnjë simbol të vetëm të kohës së Hoxhës që të mund të cilësohet sot si simbol kombëtar i vërtetë? As Universiteti, as Akademia e Shkencave, pikërisht sepse ajo etikë kombëtare u asgjësua nga etika e pushtetit. Sigurisht që këtu nuk duhet të ngatërrojmë besimet e njerëzve, dëshirën apo vendime të ndryshme që patjetër përkojnë me një interes kombëtar. Sepse të tilla ka patur dhe do ketë. Universiteti ishte një akt kombëtar, shndërrimi i tij ama i përgjigjet një etike pushteti. Nëse nuk na pëlqen ta kuptojmë këtë me rastin tonë, mjafton të shohim se çfarë ndodh me institucionet kur ato i nënshtrohen agjendave të ndryshme si rasti i universiteteve dhe mediave në SHBA. Që ndonëse private në administrim, duke qenë pjesë e jetës publike erdhën u vetëdiskredituan për shkak se adoptuan agjenda të një grupi.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Shkrim me nje analize perfekte zoti Zaimi.
Kadetet dhe ushtria qe Kico flet nuk i sherbeu kurre popullit por Diktatures.
Ishte kjo ushtri qe zuri rruget e Elbasanit dhe ushtaret benin manovra ne to per te friksuar miletin, pergjat demostratave kundra Diktatures.

U desh nderhyrja e Kryetarit te Komitetit te qytetit qe t'i largonte. Oficeret e Krastes shfryenin gjithe mllef kur terhoqen kembesorin per ne kazerme.

Submitted by Anonymous (not verified) on

pffffff po ci hapni faqe ketyre tipave
lerini more te qelben ne pisllikun e tyre

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.