Pakti i ri Ribentrop-Molotov
Fjalimi i zv.presidentit amerikan në Konferencën e Munihut përfaqëson një moment historik të ngjashëm me fjalimin e Vladimit Putin në të njëjtën konferencë në vitin 2007. Nëse do shohim planet e saj konference, kur Europa ishte në kulmin e vet ekonomik e me të edhe në kulmin e arrogancës, do të vëmë re politikanë të çuditur që ngrenë supet me kritikat dhe shqetësimet e liderit rus. Një pjesë e këtyre shqetësimeve lidheshin me agjendat liberale, me instrumentalizimin e të drejtave në një mjedis kulturor të ndryshëm nga ai perëndimor, me instrumentalizimin e institucioneve si OSBE në destabilizimin elektoral, apo edhe në sponsorizimin e një fryme revizionuese të historisë së afërt politike.
Kjo u perceptua nga Rusia si kërcënim afatgjatë duke parë tek e gjithë narrativa e demokracisë dhe ligjërimi liberal një mjet të përpunimit të opinionit publik me synim rrëzimin e hierarkisë ruse të vlerave dhe shtetësisë. Nëse ka një luftë hibride reale, mund të thuhet se fjalimi i Putin në vitin 2007, përfaqëson të parin që e trajton këtë luftë si deklaratë publike dhe si pjesë të asaj që do të vinte e aktualizohej si politikë mbrojtjeje shtetërore. Pakkush kuptoi se çfarë po ndodhte pikërisht sepse pakkush lexoi perceptimin e palës tjetër. Në gusht 2008, Rusia invadoi Gjeorgjinë duke njoftuar se nuk do të binte dakord në asnjë mënyrë të paktën me vendosjen e bazave të NATO-s në dyert e saj siç ndodhi me vendet balltike.
Sërish, askush nuk donte të kuptonte. Nuk vonoi dhe Perëndimi, nominalisht SHBA, inskenoi ngjarjet në botën arabe, goditi fort Sirinë, një plazdarm i vjetër sovjetik, afirmuar përmes pushtetit të një familjeje alavite, dhe mandej eci më tej me dy prova gjenerale: Ukrainën dhe Bjellorusinë. Tentativa në Majdan i vuri vulën sigurisë në Europë përmes raporteve në fuqi, duke bindur shumëkënd në Rusi se duheshin marrë masa sa më shpejt për krijimin e një kordoni sigurie sa më të gjerë, qoftë për zgjidhjen legale në të ardhmen ashtu edhe përballjen ushtarake.
Në analogji me këtë më sipër dhe rrjedhojat që erdhën, fjalimi Vance që flet për tërheqje të 20 mijë trupave në Europa, që nuk përjashton fundin e NATO-s, ndërkohë që presidenti amerikan Trump kërkon 50% të mineraleve të rralla ukrainase në këmbim të dislokimit të trupave, njofton atë që nuk duhet injoruar: partneriteti euroatlantik ka marrë fund dhe është zëvendësuar nga merkantilizmi. Vance bëri apel hapur për rrëzimin e establishmentit aktual në Europë që do të ishte fundi i demokracisë liberale siç e njohim dhe nisja e një ere kur i gjithë kontinenti do të jetë përdorues i platformave amerikane që sot ankohen vazhdimisht për rregullimet dhe kontrollin europian. Pa folur për faktin se një e djathtë e re europiane do të huazojë sigurinë e vet duke pranuar bindjen ndaj Trump që siguron qetësinë dhe përmbajtjen e Rusisë. Skema është banale dhe nuk ofron asgjë të sigurtë.
Jamie Dettmer shkruan në “Politco” për shqetësimin e madh në Europë për të ashtuquajturin Paqëtim ndaj Putinit – një term që lidhet me politikën e paqëtimit të Britanisë së Madhe ndaj Hitlerit e që çoi në cedimin ndaj tij të Sudeteve me marrëveshjen e Munihut më 1938.
Mirëpo këtu ka një paradoks shumë të madh: nëse shohim literaturën politike të pas viteve ’90, Munihu është relativizuar shumë si goditje historike ndaj Paqes me Paktin Ribentrop-Molotov të viti 1939, që çoi në ndarjen e Polonisë mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Perëndimi ka preferuar ta analizojë Paktin e 1939 si shprehje të imperiailizmit të të dyjave vendeve, ndërkohë që Munihun si lëshim në emër të paqes. Ne si shqiptarë kemi mësuar se dikur e njëjta filozofi u përdor nga ish-ministri i Jashtëm britanik, Edward Grey, që gjatë Konferencës së Londrës që gjymtoi tokat shqiptare u shpreh se “kjo padrejtësi bëhet në emër të paqes europiane”. I njëjti me Munihun e 1938-s, por paqja nuk u ruajt. Ajo u shkatërrua.
Sot Europa i druhet Paqëtimit, Munihut të 1938-s të cilin bëri çmos ta relativizojë dhe nuk po sheh Paktin e ri Ribentrop-Molotov që po ndan Ukrainën. Nuk do ta shohë sepse ndjen frikën në lëkurë dhe është borxhli ndaj sigurisë nga SHBA që po e shet kontinentin.
A është kjo Europë gati të marrë frenat e vetes në dorë? Jo, nuk është. Hapi i parë që do të duhet të bënte është të njësojë BE-në si shtet federal dhe së dyti të kundërshtojë në çdo eventualitet ndarjen e Ukrainës si pjesë e një pazari apo marrëveshjeje që përjashton Europën. Përndryshe askush nuk mund të parashikojë më zhvillimet pasuese që janë qysh tani shkatërrimtare dhe transformuese. Donald Trump është asgjë më shumë sesa një nallban që e sheh botën me optikën e parasë; divorci me të nuk është i vështirë në asnjë konsideratë politike. Dhe SHBA nuk ka për të qenë më ajo që ishte.
Add new comment