Me Liderin të gjithë, jo me ideologjinë
Me cilën ideologji asociohet një shoqëri? Pyetje që nuk ka përgjigje shteruese. Në një shoqëri që është shndërruar në subjekt të shtetit modern, duket se asocimi shkon për nga pushteti, ideja qendrore e institucioneve. Është ajo pyetje që vjen e thjeshtuar si pohim dhe pa keqkuptime: nuk ka patur monarkistë, por Zogistë. As komunistë, por Enveristë.
Të njëjtën çështje e shtron në një shënim të vetin media italiane “storia in rete” kur bën dallimin mes itaianëve fashistë dhe musolinianë. Referuar një libri të Giordano Bruno Guerri – “Benito me ilustrime” – mund të konkludohet se deri edhe antifashistët dhe komunistët italianë ishin musolinianë.
Thjesht: Duçja ishte gjigandografia e aspiratave të tyre
shkruhet në shënim.
Mbrojtës i Madh – një ndër epitetet e lindura nga një “lidhje joshëse” mes popullit dhe Liderit që sa vjen e mishëron të parin. E përfaqëson, e identifikon.
Duçja pallosh që mendonte e vepronte me madhështi, që e donte me të vërtetë popullin e vet dhe e kishte ndyshuar, në një muaj mjalti që zgjati të paktën 15 vjet nëse jo më shumë
shkruan Marcello Veneziani.
Që kujton sesi edhe komunistët e asaj kohe ishin antifashistë vetëm në “radhë të tretë” pasi si fillim sihin antipadronë, pra antikapitalistë dhe antilatifondistë; ishin pastaj antidemokristianë pasi sipas tyre Demokracia Krisitiane përfaqësonte persekutimin e butë, dinak dhe klerikal dhe mandej antifashistë, pse i quanin fashistët si shërbëtorë të dy të parëve. Më interesantja, Duçja qëndronte mënjanë këtij skenari korruptiv dhe represiv:
Ishin admirues të zhgënjyer të Musolinit, apo të tradhëtuar në shumë raste, por admirues. Versioni i tyre dominues ishte se Musolini ndoshta kiste mbetur një prej tyre dhe se ishte i madh por e kishte lënë veten të korruptohej nga borgjezia, kapitali, monarkia, kisha dhe ishte tradhëtuar nga vetë hierarkët e tij
shkruan Veneziani.
Sipas tij “ky musolinizëm shpjegon kultin e Stalinit pas lufte”, duke harruar krimet dhe injoruar ato dhe duke pranuar vetëm “Diktatorin Beninj” që kishin humur te Musolini.
Vëzhgimi ka një rëndësi të madhe sepse shumë vende që kanë kaluar periudha të kontrollit social dhe politik direkt, jo të tërthortë, kanë mundësi të kuptojnë analogjinë në reagimet dhe psikologjinë post-diktatoriale. Sesi në thuajse të gjitha shoqëritë, pavarësisht stadit të zhvillimit imperativi I sigurisë merr terren dhe çon në tjetërsime strukturore që kanë pasoja serioze.
Është një vëzhgim i bërë dikur në mënyrë tjetër nga Ismail Kadare për Diktatutën shqiptare e cila flet për shtypjen dhe efektivitetin e kontrollit nga Enver Hoxha. Dhe sesi paradigma fillestare ideologjike zëvendësohet me njeriun si Paradigmë. Udhëheqësin, kreun, liderin. Po ndodh kjo si përpjekje edhe para syve tanë sot, thuajse kudo. Hap pas hapi, në ritëm me teknologjinë, ne po dëshmojmë se angazhimi dhe pjesëmarrja po i lë vend indiferencës së plotë, strukjes në rehatinë dhe suksesin personal, duke vrarë së pari debatin publik, që duke u shndërruar në anarki dhe zhurmë, konverohet në nevojë për rend dhe stabilitet.
Asgjë duket se nuk ka mësuar njeriu nga e shkuara e vet. Asgjë me peshë morale dhe edukuese. Ne po shkojmë me sytë hapur drejt një bindjeje globale, një injorimi të plotë të përgjegjësive të cilave nuk duhet t’u ikësh për të mbetur peng i spektaklit të pushtetit me qorra që thjesht llapin duke artikuluar të vetmen ndarje retorike që ka mbetur: të varfër e të pasur. Edhe pse të dy kanë në dorë Zjarrin e kohës sonë në mënyrë të barabartë: Celularin, internetin.
s.zaimi
Add new comment