Interlokutorja e Trumpit në Europë

Postuar në 07 Nëntor, 2024 09:53

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni shihet si "interlokutorja natyrale" e Presidentit të rizgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në Evropë, thotë Antonio Giordano, anëtar i partisë së Melonit dhe sekretari i Përgjithshëm i Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve (ECR) në PE.

Giordano thotë në një prononcim për Euractive se lidershipi i fortë i Melonit dhe aftësia për t'u angazhuar me Trump mund të ndikojnë në qasjen e tij ndaj migrimit, duke tërhequr potencialisht mbështetje për marrëveshjet për qendrat e përpunimit në distancë. Kujtojmë këtu marrëveshjen Meloni-Rama në nëtor të vitit të kaluar, që i hapi rrugën ndërtimit të kampit të Gjadrit.   

Giordano thotë se janë dy arsyet që mbështesin këtë pikëpamje.

Përveç besimit se Meloni është dikush me të cilin mund të arsyetohet dhe që mund t'i afrojë njerëzit në këndvështrimin e saj përmes dialogut dhe mirëkuptimit, ai thotë se statusi i saj e bën atë "liderin më të qëndrueshëm në Evropë", dhe kjo mbështetet në rezultatet e zgjedhjeve europiane në qershor.

Meloni e ka vlerësuar Trump-in si një frymëzim për politikën italiane. Në 2018, ajo ftoi ish-këshilltarin strategjik të Trump, Steve Bannon, të fliste në konferencën e partisë Fratelli d'Italia.

Pasi mori drejtimin e qeverisë italiane, qasjet e Melonit janë moderuar duke marrë një drejtim më pro-evropian, gjë që sipas disa analistëve, mund të duket si zhgënjim në sytë e republikanëve amerikanë.

Megjithatë, Giordano, i cili mori pjesë në Konventën Kombëtare Republikane këtë verë si përfaqësues i Fratelli d'Italia, beson se Trump nuk do të ketë "asnjë dyshim" për qëndrimin e Melonit bazuar në veprimet e saj.

Politika e migracionit është një tjetër pikë kyçe.

“Më pyesin nëse Trump do të ndikojë në politikën e migracionit të qeverisë, por besoj se do të jetë pikërisht e kundërta”, shpjegon Giordano.

Giordano thotë se presidenti i ri i SHBA-së madje mund të frymëzohet nga Plani Mattei i Italisë, i cili synon të stimulojë rritjen në rajonet kufitare.

Ai shtoi se Trump mund të marrë në konsideratë edhe adoptimin e idesë së qendrave të përpunimit të migrantëve në distancë, të cilat ofrojnë një sistem më efikas sesa trajtimi i migracionit brenda kufijve të vendit.

Përveç marrëdhënies së saj të gjatë me qarqet republikane të Trump, Meloni ka forcuar së fundmi edhe lidhjet me Elon Musk, të cilin Trump e ka zgjedhur për të udhëhequr "reformat drastike" të qeverisë amerikane.

"Trump e quan Elon Musk një gjeni. Musk flet në terma të qartë dhe në të njëjtën kohë, Musk ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Melonin. Kjo është një panoramë, një foto, apo jo? Çfarë do të ndodhë më pas mbetet për t'u parë, por sigurisht që është një foto e mrekullueshme”, shtoi Giordano.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.