Firma e kryeministrit mbi Gjykatën/Kastrati nis punën në bazën e Sarandës: Jemi me leje të Edi Ramës
Pavarësisht se është nën sekuestro preventive nga GJKKO dhe Gjykata e Lartë, në bazën detare të Sarandës kanë nisur punimet. Bashkimi i kompanive “Kastrati Group” dhe “Edil-il-al” ka hapur kantierin për ndërtimin e Marinës në gjirin e Limionit.
Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku, përmes “Marina Limion”, janë përfitues të kontratës koncesionare të nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës për ndërtimin e marinës dhe të një kontrate qiraje me Ministrinë e Financave.
Të dy kontratat janë nën hetim nga SPAK, ndërsa vetë baza detare e Sarandës është nën "sekuestro preventive" pas një vendimi të GJKKO në shkurt të vitit të kaluar, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë pas apelit të ndërtuesve.
Në 1 korrik 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Kontrata u kallëzua në SPAK nga ish-komandanti i Flotës Artur Meçollari, sipasa të cilit privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Por pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, raportohet se punimet kanë nisur.
Kryeministri Rama e ka cilësuar vendosjen nën sekuestro të kësaj baze një vendim absurd.
Nisja e punimeve duket se ka lejen e kryeministrit, kjo sipas reagimit të vetë kompanisë "Kastrati Group". “Jemi me leje të firmosur dhe vulosur nga Edi Rama,” thuhet në deklaratën e kompanisë. “Në këtë zonë po ndërtojmë një port turistik dhe shërbimesh, duke ndjekur të gjitha procedurat përkatëse.”
Add new comment