Balta mbi Mbretin që rrit autoritetin e tij
Balta e hedhur mbi Mbretin Felipe të Spanjës na kujton të gjithëve forcën e demokracisë që buron nga qytetari që e ndjen vendin e tij. Edhe pse po flasim për një gjendje të dëshpëruar në një ngjarje shumë të jashtëzakonshme, për të cilën qeverisja mund të fajësohet deri diku, sulmi fizik mbi monarkun është simbolik dhe nuk ka asgjë subversiv.
Është ndër ato raste të qarta kur dhuna nuk është dhunë, por apel dhe korrigjues, vetëdije. Këtë atribut e ka vetëm demokracia që toleron si një “ndër opinionet” e mjedisit politik edhe përplasjen.
Është shumë larg kulturës sonë, ADN-së sonë politike kjo që shohim. Në Shqipëri edhe një fjalë ndaj të parit të vendit izolohet me goditje të shpejtë trupash speciale. Media kalon në sulm për të gjetur biografinë e sulmuesit, gjen foto e politikanë, e kështu me radhë vetëm e vetëm për ta shkatërruar agresorin dhe ripaketuar imazhin e Shenjtorit që qeveris.
Ky rast na kujton atë episodin e Kadaresë në Francën e viteve ’90 kur duke komentuar një përplasje fizike në stadium, shkrimtari tha se ajo ishte një dhunë demokratike. Larg dhunës totalitare, që ishte e fshehtë, proceduriale dhe asgjësuese. Sot padyshim nuk ka dhunë të tillë më, por ka asgjësim politik, ekonomik, përjashtim dhe injorim vetëm për mendime e ndryshme. Sepse një pseudodemokraci ka si parakusht mungesën e qytetarëve dhe ligjëron një ritual qetësie të rreme që zbraz çdo gjë nga kuptimi. Balta mbi Felipen e rriti autoritetin e tij, shumë më shumë sesa çdo buzëqeshje dhe sadakaje.
s.zaimi
Add new comment