Europa duhet të rritet. Siguria e saj varet nga NE, jo nga zgjedhjet amerikane
Nëse lexon mediat kryesore të Perëndimit sot, madje edhe ato që janë media të specializuara dhe i qëndrojnë “larg” debatit të ditës, njeriu mund të mendojë se diçka shumë e keqe do ndodhë në botë nëse Donald Trump hyn në Shtëpinë e Bardhë. “The Economist”, “Foreign Affairs”, “Financial Times”, “Foreign Policy” e të tjera me radhë, dita-ditës bëjnë thirrje që amerikanët të votojnë Kamala Harris. Për asgjë tjetër veçse ajo është më e mirë se Trump.
Fitorja eventuale e këtij të fundit po dramatizohet madje deri në absurditete të tilla si cenim i kohezionit atlantik, shpërbërje e aleancës, dorëzim te Rusia e të tjera si këto. Francis Fukuyama shkruante se opozitarizmi ndaj Trump ka disa të meta të mëdha që nga etiketimet që i bëhen e që tradhëtojnë ankthin e disave nga fitorja e tij deri në keqpërdorim të njohurive bazë dhe termave.
Nga ana tjetër vijnë lajme se disda vende të BE-së po përgatiten me kabinete të posaçme për mandatin e dytë të Trump, çka nënkupton se bota tashmë po modelon psikikën e vet për të kuptuar atë që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA.
E paimagjinueshmja pra po ndodh. Demokracia e fuqishme amerikane, e institucioneve të forta dhe politikave afatgjata, befas një njeri i vetëm me një llogari në tuiterin e dikurshëm, ka vënë në diskutim të gjithë sigurinë e hemisferës perëndimore. Duke kërcënuar të ardhmen me VOTËN e sotme. Mirëpo nga kjo litani e vetësugjestionuar nga një moral i pavërtetë i superioritetit të njërës palë mbi tjetrën, duhet të lindë një frymë e re që më në fund ta shkëpusë mentalitetin e sigurisë nga ankorimi i përjetshëm në SHBA. Në një postim në rrjetin “X”, kryeministri polak, Donald Tusk thekson pikërisht këtë aspekt, që ka mbërthyer në formë vetëmanipuluese një pjesë të lidershipit perëndimor.
Harris apo Trump? Disa shpallin se e ardhmja e Europës varet nga zgjedhjet amerikane, ndërkohë që ajo varet së pari dhe kryesisht nga Ne. Me kushtin që Europa më në fund të rritet dhe të besojë në fuqinë e vet. Çfarëdo qoftë rezultati, era e sigurisë së huaj gjeopolitike ka marrë fund
shkruan Tusk.
Një qëndrim i vendosur për të hapur atë diskutim të cilin kryeministri hungarez Viktor Orban po e ndjek në një kurs më agresiv dhe me koston e të padëshiruarit. Është shumë e qartë se dobësia e Europës buron edhe nga përsëritja e saj nga vetë Europa e mësuar të shohë veten të siguruar prej dekadash nga të tjerët.
s.zaimi
Add new comment