Prezumimi i Fajësisë
Ka një dhembshuri të përhapur mediatike për padrejtësinë që i është bërë Ilir Metës me arrestimin e tij. Nga ekrani në ekran sheh gazetarë që rrëmojnë në alibi, dispozita juridike dhe lloj-lloj arsyetimesh për të shpjeguar se me arrestimin e Ilir Metës – ish-president dhe ish-kryeministër – SPAK ka gabuar.
Në plan tjetër ka dalë edhe një pretendim moralizues: Politikën nuk e pastron drejtësia por vota. Kjo nuk qëndron. Vota sjell ndryshime në pushtet, por jo edhe aq në politikë. Pasi ka shumë njerëz që humbasin me votë një mandat përfaqësimi, por në politikë mbeten. Sepse politika ushtrohet edhe si aktivitet publik pa përfaqësim.
Argumenti tjetër, sjellë në vëmendje me një lloj autoritarizmi ungjillor nga mentorët e kombit si Blendi Fevziu, është se me arrestimet e SPAK po minohen zgjedhjet. Dy drejtuesit e opozitës të ndaluar, si vallë duhen bërë zgjedhjet? – pyet kjo mendje e rrallë e këtyre anëve. Sipas Fevziut SPAK duhet të balancojë, pa shpjeguar sesi duhet ta bëjë këtë konkretisht. Pasi në parim drejtësia vepron sipas konkludimit të hetimeve. Me logjikën në fjalë i bie që nëse arrestohet Erion Veliaj, opozita ka më shumë shanse në zgjedhje dhe se vetë zgjedhjet madje mund të zhvillohen.
Është e qartë se avokatia që po i bëhet Ilir Metës nuk buron nga ndonjë shqetësim parimor për hallemadhen Shqipëri të cilën këta tribunë të së vërtetës i kanë dalë për zot. Vetë këta kush i mban në skenë? Pse flasin e flasin me kaq pasion këta emulacionarë të televizionit? Falas flasin, kot, për revoltë? Pse nuk i shkojnë për vizitë Ilir Metës?
E njëjta logjikë e deformuar u vu në lëvizje kur në media me dosjen e Ilir Metës doli emri i famozit Samir Mane, një shitës i suksesshëm që luan si korporatist me vizion global. Në një transaksion prone ku doli emri i këtij Manes, Ilir Metës dhe gazetarit Baton Haxhiu, asnjë prej gazetarëve që moralizojnë dhe shesin parime për të tjerët, nuk ngriti një dyshim. Pati nga ata që u shprehën se “transaksioni është i ligjshëm”, a thua diskutimi është pikërisht tek aspekti juridik. Në një transksion ku një biznesmen praktikisht i fal një politikani e mandej një gazetari 220 mijë euro, ka patjetër diçka jo shumë të mirë dhe të pranueshme.
E marrë në tërësinë e vet duket se një pjesë e gazetarëve kryesorë dhe të hiperpaguar të këtij vendi janë tashmë avokatë të një të burgosuri për korrupsion, për të cilin nuk kanë asnjë argument të thonë se është i burgosur politik.
Heshtja ndaj të gjitha pikëpyetjeve që shtrohen për çështjen e Ilir Metës, i cili e meriton burgun dhe madje mosdaljen prej tij më përgjithnjë, bashkë me Sali Berishën dhe këtë halldupin që është kryeministër sot, përbën një mashtrim publik nga të gjithë vajtuesit për drejtësi që e quajnë veten gazetarë. Pse? Sepse mjafton edhe mënyra sesi Ilir Meta doli nga çështja e videon me Dritan Priftin për të krijuar të gjitha dyshimet e mundshme.
Nuk është puna e gazetarit të analizojë aspektin juridik të një arrestimi, pa shtruar dyshimet për aktivitetin e një subjekti kaq të përfolur. Dhe meqë jemi këtu duhet sqaruar një keqkuptim i madh ndoshta që është krijuar me dinakëri nga kryeministri aktual dhe është ngrënë mirë ndoshta nga injoranca në një pjesë dhe bashkëpunimi në një pjesë tjetër gazetarësh.
Në rendin e përjvashëm të skandaleve të njerëzve të vet, z. Rama, në vend se të alarmohej dhe të kërkonte llogari për shkeljet e supozuara, u bë avokati kryesor i atyre të cilët sot po ia arrestojnë një nga një. Dy janë argumentet e mjera të këtij njeriu: i pari, se përgjimet nuk përbëjnë provë dhe i dyti, se kur akuzohet publikisht vepron parimi i prezumimit të pafajësisë. Kjo ka vendosur një balancë të rreme në diskutimin publik kur vjen puna për të folur mbi dosje të mëdha korrupsioni, pasi ne jemi njerëz që parimin e asimiliojmë shumë shpejt.
Mirëpo duke lënë mënjanë spërdredhjen fajësese për përgjimet apo ndërhyrjet e mjera të këtij individi pranë redaksive të mediave të huaja, argumenti i prezumimit të pafajësisë aplikohet në kuadër të së drejtës për një process gjyqësor të drejtë. Dhe një hetim objektiv që është i ndarë nga gjykimi. Çfarë do të thotë se parimi në fjalë i takon Gjendjes Gjyqësore të subjekteve dhe raportit të tij me fajësinë ose pafajësinë Penale, jo gazetarisë dhe shqyrtimit publik.
Në fakt, marrëdhënia mes shoqërisë dhe Pushtetit, ose më mirë agjentëve shoqëroë pa pushtet institucional dhe ekzekutiv, pra joligjvënëns, siç është MEDIA dhe Gazetarët dhe Pushtetit me vendimmarrje, kalon detyrimisht nga parimi i Prezumimit të Fajësisë që aplikohet përmes pyetjeve, debatit, investigimit. Në rrugë të kundërt si synim nga hetimi penal që vihet në lëvizje me kallëzim dhe duhet të provojë fajësinë duke mbajtur parasysh Pafajësinë.
Të bësh sikur nuk e kupton këtë ose sikur të mos e kuptosh këtë do të thotë që edhe si idiot je shumë i rrezikshëm.
Comments
Fevziu ushqehet me parate e
Fevziu ushqehet me parate e Samir Manes e te tjereve e natyrisht nuk mund te dale jashte rolit te avokatit me pagese e te ngrihet ne tribun te moralit. Tashme te sjell zorret ne bark per nivelin e tij banal te trajtimit te lajmeve dhe situatave ne vend. Ku behet akoma me qesharak kur pasi fto Bruno Vespen i tha qe ai ishte modeli i tij i gazetarit, ne nje kohe kur Bruno Vespa mbahet per nje gazetar servil "par excellence" ne Itali.
Add new comment