Perëndimi nuk di çfarë të bëjë me "suksesin" ukrainas në front

Postuar në 20 Gusht, 2024 14:54

Inkursioni ukrainas në Rusi e ka bërë edhe më të paqartë të ardhmen e luftës. Ndonëse ka rezultuar me një sukses të papritur në kapjen e një territori rus më të madh sesa territori ukrainas i kapur nga rusët në një vit, goditja e bërë në thellësi të hapësirës ruse nuk ka sjellë atë që pritej. E që është detyrimi i rusëve të tërheqin forcat nga Donbasi ku në fakt ata po përparojnë. Presidenti ukrainas Zelenskiy ka sqaruar se synimi i inkursionit është krijimi një zone tampon, që do të mundësonte eventualisht shkëmbim territori në negociatat e mundshme për paqen, por një gjë e tillë nuk gjen mbështetje në terren:

Së pari raportohet se Rusia po avancon në Donetsk dhe është duke përmbushur objektivin zyrtar të operacionit të vet që është pikërisht garantimi i rusëve nga ai që e quan regjimi neonazist i Kievit.

Së dyti, Rusia nuk po vepron ende me vendosmëri ndaj inkursionit ukrainas në territorin e vet, duke preferuar ta luajë atë politikisht nën argumentin se sot Ukraina është një shtet agresor. Indiferenca ruse ndaj inkursionit ka krijuar efekte psikologjike tek ushtarakët ukrainas, që kanë nisur të dyshojnë për një goditje të befasishme pa e ditur se ku. Ukraina ka angazhuar 12 mijë trupa në operacionin e vet në Rusi dhe nëse besojmë raportimet e Rusisë, viktimat në radhët e tyre variojnë në mbi 250 në ditë.

Së treti, operacioni ukrainas është ndoshta lëvizja e fundit e madhe para ndërrimit politik në SHBA dhe çfarë po duket është se Rusia po luan në terren me durimin e numrave që ka në dispozicion, duke shpresuar se ezaurimi i energjisë ukrainase do të çojë në shpërbërjen e kohezionit të saj. Nuk është pa rëndësi të shihet ndërtimi i bazave të reja ushtarake në vendet balltike: nëse Rusia do të ishte duke humbur, nuk do të kishte arsye për lëvizje të tilla.

Në këto kushte rezultati përfundimtar është i vështirë të parashikohet. Por diçka është e lexueshme: edhe suksesi më maksimal i operacionit ukrainas, nuk arrin dot të marrë vlerë diversive në front për shkak të numrave dhe gjerësisë së frontit që mund të krijojë. As edhe të krijojë kërcënim të prapavijës për palën ruse, e cila për këto arsye me gjasë vazhdon të përparojë në Donetsk.

Mbetet për t’u parë sesi do të veprojë Perëndimi që tashmë gjendet përballë dilemës së angazhimit në konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë: nëse ai autorizon apo vazhdon furnizimin e Ukrainës me armë të sofistikuara që do të përdoren në hapësirën e Federatës Ruse, ky fare mirë mund të cilësohet si shkak për luftë nga Moska, e cila ka këtu alibinë për furnizime analoge të njësive të tjera në botë që sot luftojnë kundër Perëndimit.

Është një krizë e cila nuk lidhet me sipërfaqen e territorit të kapur, por me simbolikën e tij. Deri më tani, askush në Perëndim nuk ka ditur ta interpretojë se çfarë duhet  bërë me këtë sukses të Zelenskiyt dhe kjo është më keq se shkurti 2022.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.