"Gjeopolitika" e turistëve/Shqipëria tërheq shqiptarët dhe europianët, Serbia kinezë dhe turq
Në një postim sot në Facebook, kryeministri Edi Rama njofton se në Shqipëri për periudhën janar – korrik 2024 kanë hyrë në vendin tonë 6.3 milionë turistë. Zoti Rama jep edhe një evidencë të origjinës së vendeve të personave që kanë hyrë që është si më poshtë:
2.4 milionë nga Kosova
481 mijë nga Maqedonia e Veriut
181 mijë nga Anglia
636 mijë nga Italia
109 mijë nga Franca
206 mijë nga Turqia
13 mijë nga Kina
50 mijë nga Suedia
174 mijë nga Polonia
68 mijë nga Hollanda
51 mijë nga Rumania
Me një lexim të thjeshtë mund të hamendësojmë se hyrjet nga Italia dhe Kosova pasqyrojnë disa udhëtime të të njëjtëve njerëz, por ato regjistrohen si hyrje në kufi dhe kanë vlerë ekonomike në mos strikt staitstikore.
Nëse shohim në përgjithësi, duhet të themi se Shqipëria është një destinacion i shqiptarëve dhe i europianëve.
Për një krahasim sipërfaqësor sjellim këtu statistikat e turistëve që kanë hyrë në një vend afër nesh, Serbia. Për vitin 2024, Instiutit serb i Statistikave raporton një rritje me 6.6% të hyrjeve dhe një rritje me 6% të qëndrimeve 24 orëshe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Si origjinë kryesojnë turistët nga Turqia, pasojnë ata nga Kina, mandej Bosnje-Hercegovina.
Shifrat janë padyshim modeste krahasuar me ato që sjell z. Rama i cili po sot deklaronte se ka një rritje me 42% të vizitave nga turistët në disa site arkeologjike dhe historike.
Tabloja pra plotësohet për të konkluduar se Shqipëria është në hartën turistike mesdhetare dhe europiane. Por për efekt statistikor dhe qarkullm monetar duhet dhënë roli i turizmit të brendshëm dhe i turizmit në dalje të shqiptarëve.
Shifrave nuk mund t’i shpëtojë fakti se origjina e vendeve prej nga vijnë turistët në të dyja vendet reflekton profilin politik të vendit në arenën ndërkombëtare, pozicioinimin e vet, por edhe asetet në dispozicion padyshim. Për Shqipërinë, në ngulitjen e saj si destinacion për vendet perëndimore, duhet të pranojmë se ka një rol edhe emigracioni që ka patjetër vlerë njohjeje për vendin tonë, por edhe marketingu agresiv.
Një tjetër aspekt që ka rëndësi është statistika e qëndrimeve 24 orëshe që na jepet nga Serbia, që nënkupton se shumë turistë të huaj e shohin Shqipërinë dhe vendet e rajonit(jo Greqinë) si pjesë të një destinacioni rajonal çka do të duhet të impononte një qasje tjetër të operatorëve turistikë në ndërtimin e itinerarëve, që duhet të jenë tashmë edhe rajonalë.
Shqipëria po investon në aeroporte dhe për këtë ka shumë diskutime, por për një turizëm që nuk e mërzit turistin dhe përshpejton aksesin në shumë zona, hekurudha është një investim që do të ishte shumë më me vlerë. Por tani jemi mirë dhe mbase kjo nuk duket.
Add new comment