Gjikuria: Unë bëra një betejë të ndershme!
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, thotë se në zgjedhjet e 4 gushtit mijëra qytetarëve të Himarës iu mohua e drejta e votës. Kjo sepse lista e zgjedhësve u transformua për ta vënë atë në funksion të fitores së kundërshtarëve. Në një mesazh pas shpalljes së fitores së rivalit Vangjel Tavo, Gjikuria shprehet se gara e tij ka qenë e ndershme dhe në frymën e betejave të himariotëve në vitet e fundit.
Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë. Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin. Qëllimi ishte pasja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.
Add new comment