Hidhet ideja e një pakti ushtarak për Azinë

Rusia ka nisur të artikulojë një strategji aktive të sigurisë euroaziatike, jashtë ndikimit perëndimor dhe amerikan. Duket se kjo ide e vjetër që në fakt buron nga pozicioni i dyfishtë gjeografik dhe gjeopolitik i Rusisë merr shtysa të reja nga gjendja e punëve në Ukrainë dhe nga fakti se kërkesa e vazhdueshme e Moskës për një rishikim të arkitekturës së sigurisë në Europë, apo së paku për një aplikim të parimit të pandashmërisë së sigurisë, nuk mund të ndiqet më. Në këtë kuadër Kremlini po sugjeron një lloj organizimi kolektiv aziatik duke cilësuar se është në të mirën e të ardhmes së të gjithëve që ky organizim të konsiderojë si domosdoshmëri mbajtjen jashtë të SHBA.
Shpresoj se vendet e kontinentit, secili prej tyre, do të kuptojë këtë nevojë të ndërtimit të linjave të sigurisë përgjatë vijave euroaziatike
është shprehur ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, gjatë një takimi në Akademinë e Administrimit Publik në Bjellorusi.
Sipas tij objektivi nuk është i lehtë, pasi aktualisht SHBA dhe NATO po përpiqen të krijojnë mini-blloqe, konfigurime të ndryshme, duke u përpjekur të çajnë format e tanishme të ndërveprimit. Ideja vjen në një kohë kur Rusia ka njoftuar partneritetin strategjik me Kinën, Korenë e Veriut, kur po kërkon një rol të ri në raportet kino-indiane mes të cilave ndërvepron si partner i besueshëm, por edhe kur ka kujtuar ndihmën që i është dhënë Vietnamit në luftën e viteve ’70 të shekullit të kaluar.
Po kështu organizimet e ndërmarra nga Rusia në drejtimin ekonomik si BRICS kanë dhënë efekte jo të këqija, sidomos tani që edhe vende si Turqia po shprehin përherë e më shumë interes që të afrohen me tregun aziatik, çka nënkupton se prirja e përgjithshme është që Perëndimi të kuptojë së afërmi vijën e re kufitare me të cilën do të duhet të bëjë llogaritë gjeopolitike.
Ajo çka i jep rëndësi Rusisë në këtë aspekt nuk është vetëm gjerësia gjeografike dhe kapaciteti bërthamor e hapësinor, por edhe fakti I përvojës së saj të konfrontimit ushtarak direkt me Perëndimin në Ukrainë, ku po vritet frika e trashëguar e humbjes strategjike me superfuqitë botërore. Nga ana tjetër, termi euraziatik implikon patjetër një drejtim europian të strategjisë ruse që ka të bëjë sa me historinë, aq edhe me kulturën, interesat, fenë dhe rracën, por edhe nënkupton se Kremlini nuk e sheh dot veten jashtë kontinentit të vjetër as në aspektin politik. Sado që lufta e tanishme ka helmuar marrëdhëniet edhe më shumë sesa LIIB.
Add new comment