Rezolutë mbi një reformë me shumë probleme
Rezoluta antikorrupsion që u propozua pak kohë më parë nga Kryeministri Edi Rama, nën titullin: “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, kaloi debate dhe duhet thënë me një frymë paragjykimi. Një pjesë e opozitës cilësoi se dokumenti në fjalë, që parashikon edhe ngritjen e një Komisioni të Përhershëm, synon marrjen në kontrollt të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion – SPAK – tani që sipas saj ka nisur shoshitja e dosjeve të korrupsionit të qeverisë “Rama”. Vetë kreu i SPAK, Dumani, i pyetur mbi këtë propozim, nuk pranoi të komentonte, por nënvizoi se sipas tij legjislacioni aktual është i plotë për punën e tij. Nënkuptimi është i qartë: Dumani është kundër masave kufizuese të shtuara, meqenëse Kushtetuta rregullon aspekte të funksionimit të organeve të reja të drejtësisë që supozohet se janë krijuar nën parimin e kontrollit dhe balancës së pushteteve.
Në të vërtetë një nga pikat e rezolutës së miratuar përcakton se:
…me besimin e përbashkët se vendi ka nevojë për një cikël të ri reformimi në funksion të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit…Kuvendi angazhohet:
Të ushtrojë në mënyrë efektive përgjegjësitë e tij kushtetuese në lidhje me rolin mbikëqyrës të komisioneve të përhershme e atyre të posaçme dhe strukturave të tjera përgjegjëse parlamentare, ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese, brenda fushëveprimit të përcaktuar tashmë me Kushtetutë, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve, me fokus të drejtpërdrejtë adresimin e masave të Udhërrëfyesve të miratuar nga Qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike” si dhe rekomandimet e Raportit Screening të Komisionit Evropian…
Të garantojë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke ruajtur parimet dhe shtyllat kushtetuese të Reformës në drejtësi të miratuar në 2016, për të fuqizuar pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor si dhe njëherësh nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, sipas rekomandimeve të Raporteve të BE dhe Raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë si dhe masave të udhërrëfyesit “Për shtetin e së drejtës” në zbatim të tyre.
Janë disa përcaktime me natyrë legjislative kundërthënëse deri dikur, por edhe politike. Kundërthënëse, pasi vetë reforma në drejtësi pasqyrohet në mënyrë disproporcionale dhe të elaboruar në formatin e ligjeve materiale apo proceduriale që do të duhet të konsideronin stabilizimin e tyre në trupin e ligjit themeltar. Rezoluta në fjalë nuk sugjeron rishikime kushtetuese, por vetëm thellim reformues me ligje të reja, pa sqaruar si dhe çfarë, pa prezantuar një agjendë konkrete dhe pa evidentuar paraprakisht konkluzionet e kësaj përvoje katër vjeçare me Kushtetutën dhe reformën në drejtësi për të kuptuar edhe ndërhyrjet e mëtejshme, por vetë ndërhyrja konfirmon pamjaftueshmërinë e asaj që u kalua në vitin 2016.
Përcaktimet kanë natyrë politike, sa kohë krijohet një komision i përhershëm që merr këtu rolin e një gjykate supreme mbi të gjitha njësitë e drejtësisë për të kthyer në funksion paradigmën e njohur se Legjislativi është pushteti I parë dhe se të gjitha pushtetet janë të pavaruara në funksionimin e tyre, por jo për mënyën si krijohen. Pakthyeshmëria e reformës përmes një operacioni të ri legjslativ dhe institucional që mbetet për t’u parë se në çfarë do të konsistojë është në të vërtetë një vlerësim që reflekton polarizimin e madh të krijuar nga hetimet antikorrupsion dhe ngjan në vetvete si një kupë helmi që politika po detyrohet të pijë sot për shkak se siguria për funksionimin e institucioneve të reja e brendashkruan procesin e pastrimit të elitës politike përmes veprimeve penale. Ky në vetvete do të ishte fundi i tranzicionit edhe sepse do të impononte një ekonomi të re në vend. Mekanizma të rinj financiarë dhe sjellje të re me ligjin.
Nga ana tjetër, akuza e opozitës se rezoluta synon kontrollin e SPAK ka një dozë të madhe hipokrizie nëse sheh se vetë përfaqësues të saj e cilësojnë SPAK dhe kreun e saj, si të kapur nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama. Ajo që mungon këtu është diskutim me natyrë profesionale-teknike mbi nevojën apo jo të kontrollit kushtetues të institucioneve të reja të drejtësisë në vend, mesa duket për shkak se PD-ja, si votuese e tyre në vitin 2016, ka kompleks të hyjë në diskutim, ka në agjendë rishikime tërësore, apo thjesht ka zgjedhur deligjitimimin total. Megjithatë sot që flasim, SPAK është siç tha një ndër funksionarët e lartë të PS-së, Damian Gjiknuri, është kthyer në një qendër graviteti të jetës politike në vend. Çka më së paku dëshmon se disa interesa janë cenuar përtej trajtimit të zakonshëm të pazarit.
Dikutimi me natyrë teknike do të ndihmonte shumë në çdo aspekt, pasi tani kanë kaluar 8 vjet nga miratimi I reformës, është e udhës të shihet më mirë se çfarë u bë në vitin 2016 dhe sesi ai transplant as radikal në trupin e Kushtetutës ka cenuar hierarkinë e saj dhe për rrjedhojë parimet e veta sidomos atë të kontrollit dhe balancimit që vë në dukje edhe Rezoluta.
Në një “Dokument politikash” me titullin: “Reforma në Drejtësi: Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësië”, punuar nga prof. Erind Mërkuri, vihet në dukje ndër të tjera se:
Nga analiza e kompetencave që ILD -ja ka, procedurat që ndjek dhe të praktikës konkrete të realizuar prej tij, tregon që jemi përpara një institucioni mjaft të fuqishëm, i cili mund të procedojë të gjithë sistemin e drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, anëtarët e këshillave, si edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Përjashtim mbetet vetëm Gjykata Kushtetuese. Pra, është një pushtet i jashtëzakonshëm, i përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, që është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Për këtë arsye, puna e këtij institucioni duhet që të monitorohet vazhdimisht nga aktorë të ndryshëm, me qëllim mbajtjen e tij të përgjegjshëm përballë funksioneve që mbart
Kush e kontrollon pra Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, në kuptimin e pushtetit që ai ka me Kushtetutë? Nuk ka ende një përgjigje pasi duhet të mbajmë parasysh se një sistem drejtësie që është ndërtuar me parimin metodik të vetimit, automatikisht I jep shumë pushtet efektiv një institucioni që ka në dorë procedimin disiplinor të çdo anëtari të sistemit të drejtësisë. Pra që cenon në parim premisat vetuese të tyre, pavarësisht se duhet më tej apo jo vetting në formën e sotme.
Mjafton të mbahet parasysh se ILD vihet në lëvizje edhe nga persona fizikë për të nisur procedimin për të kuptuar gamën e gjerë të mundësive të tij. P.sh për vitin 2020 ka patur 756 ankesa nga qytetarët dhe 2289 nga institucionet drejtuar ILD-së, një fluks i papërballueshëm nga një institucion që ka ende probleme organizimi dhe administrative, e për rrjedhojë që është edhe më e rëndësishmja “të kapacitetit për të dokumentuar punën e vet”. Mërkuri rekomandon që:
ILD-ja nuk duhet të ketë të drejtën e ankimit kundër vendimeve të këshillave që nuk pranojnë masat disiplinore të kërkuara prej tij. Kjo rrjedh nga Kushtetuta e cila parashikon që propozimet e ILD-së shqyrtohen nga ana e këshillave dhe nuk parashikon rrugë ankimore kundër vendimmarrjes së tyre. Pra, nuk parashikohet në asnjë pjesë të Kushtetutës, mundësia e gjykatave për të marrë masa disiplinore ndaj magjistratëve. Ndërkohë që magjistrati i penalizuar mund të ankohet pasi cenohet statusi i tij i punës dhe të drejtat që rrjedhin prej saj, ILD nuk ka shkak që të ankimojë më tej vendimmarrjen e këshillave. Për të ruajtur të drejtat procedurale të ILD-së, rekomandohet vetëm mundësia e ankimit të vendimeve të këshillave për shkaqe të rënda procedurale, por jo për themelin e vendimmarrjes
Rekomandimi ka natyrë kufizuese por nuk përfaqëson në thelb një opsion kontrolli ndaj pushtetit të tij. Momenti në fjalë edhe pse në dukje me elemente thellësisht teknikë, përbën një hapësirë ushtrimi pushteti që përhap valët potencialisht në të gjithë sistemin.
Dhe këtu ne mund të shohim se paketa e ndryshimeve kushtetuese që u quajt reformë në drejtësi, po i nënshtrohet tashmë procesit të evoluimit të vet në aspektin e kompetencave institucionale, pushtetit efektit të autoriteteve të reja dhe fushës së veprimit të tyre. Rastet e vendimeve të Strasburgut për rikthim në detyrë të subjekteve që rivlerësimi i nxori jashtë sistemit, ilustrojnë inperfeksionin e një reforme që mundëson jo vetëm gabime, por edhe ndoshta Faje.
Në këtë kuadër Rezoluta – pavarësisht se kush e sponsorizoi atë – është një tregues se politika ka detyrën të garantojë se Kushtetuta funksionon mbi ato parime që janë miratuar në fillesë, por me një gjuhë dhe tekst që duhet të mos fyejë vitin 2016 dhe atë vendim që u mor atëherë, e që mesa duket në planin strikt teknik ka mangësi të mëdha, në konceptim, por edhe logjistikë. E bën këtë edhe për frikën e vet, por në një plan afatgjatë, balanca dhe kontrolli i pushteteve janë një garanci shumë më e mirë për drejtësi funksionale sesa çdo histeri penale që e ndan më dysh shoqërinë dhe që në një fazë të caktuar mundet edhe të krijojë një lloj represioni psikologjik të një pushteti ndaj tjetrit, me pasojë toksikimin e plotë.
Vlen këtu të sillet si shembull rasti i presidencës Meta dhe asaj Begaj. Presidenca Meta u akuzua se shkeli ligjet dhe Kushtetutën, u paralajmërua madje një ligj për presidentin etj., u propozua betimi i gjykatësve para noterit, u kërkua firmosje automatike e dekreteve e kështu me radhë. Në të vërtetë Presidenca Meta me të gjithë spazmat e veta publike, apo antagonizmin gati juridik të vetën me shumicën, ristabilizoi një gjendje balance edhe në kushtet e një Presidenti të reduktuar në kompetenca. Asnjë ndryshim nuk ndërmori shumica me ikjen e Metës nga presidenca. Ndoshta sepse pas tij erdhi Begaj, çka për mirë apo për keq, përfaqëson shembullin më instruktues për këtë që po flasim.
s.zaimi
Comments
Edi Rama nuk kemi asnjë lloj
Edi Rama nuk kemi asnjë lloj besimi me tek ju dhe qeveria jual një tufë hajdutëve e kacakesh që duan të mbulojnë pislleqet e juaja dhe vjedhjet plus kryetari i komisionit me i vrarë mëlçitë ujkut në qafë Beni mirë jepni dorëheqjen sa më shpejte
Add new comment