Gruaja është muza ime e përjetshme

Postuar në 22 Mars, 2024 18:35

Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

Me Dastid Milukën, u takuam në ‘Belgian Chocolate Village’, një nga ndërtesat e njohura arkitekturore të bashkisë së Koekelbergut me murale qeramike në pjesën e brendshme, një shkallë qendrore mahnitëse dhe dekorime të Belle Epoque, ku sapo ishte çelur ekspozita kolektive e pesë piktorëve shqiptarë. Në qendër të sallës së ekspozitës sundonte një tigër me sy të flakëruar e flatra në kurriz, tigri mitik i Dastidit, që ashtu si Pegasusi, kali hyjnor i poetëve, e shpie drejt lartësive artistike. Krahas pikturës së tigrit, dy piktura të tjera të Dastidit, ajo e një majmuni dhe e një kukuvaje, që i përshtaten atmosferës së muzeut, ku rrëfehet rrugëtimi i çokollatës nga vende të largëta ekzotike në Belgjiikë. Marrëdhënia e shoqërive primitive me kafshët është e pandashme, ngërthen gjithë veprimtarinë njerëzore, nga nevojat më praktike e deri tek ato më filozofike e artistike. Takimi me Dastidin përkoi dhe me vdekjen e qenit të tij të dashur, Robit, ndaj dhe dashuria dhe empatia e tij për kafshët ishte e pranishme përgjatë gjithë bisedës sonë. 

Takimi ynë i dytë, u zhvillua në ‘ShqipVille’, në Shtëpinë e kulturës belgo-shqiptare, një qendër tashmë e njohur për ne që jetojmë në Bruksel. Muaji mars në ‘ShqipVille’, u hap me një ekspozitë personale të Dastidit, kushtuar gruas, bukurisë, brishtësisë, erotizmit dhe forcës së saj sunduese. Gratë e Dastidit, ngjan të jenë të frymëzuara nga siluetat e gjimnasteve të cirkut, kërcimtareve të kabareve dhe aktoreve të kinemasë së vjetër, të stilit Lollobrigida. Piktura e Dastidit dallon për ngjyrat e forta, çka e sjell më afër ekspresionizmit e postekspresionizmit, por ka edhe elementë të theksuar kubiste në periudha të caktuara dhe pop-arti. Një kënd të veçantë zënë vizatimet e tij të grave të lakuriqta, të cilat në hierarkinë krijuese të Dastidit, zënë të njëjtin vend me pikturat e tij.

Nëse do të më duhej ta ndaja pikturën e Dastidit në kategori, padyshim që dy janë kategoritë mbizotëruese: gratë dhe kafshët. Fundja, edhe fëmijët e Europës në mitologji, janë bashkim i hyjit dhe i kafshës me gruan.

&&&

    Kam lindur në Tiranë, në një familje intelektualësh, që kanë qenë shumë të lidhur me artin. Pavarësisht se që i vogël, kisha prirje për pikturë, pasionin për pikturën e kam zbuluar në moshë më të madhe, falë këmbënguljes dhe nxitjes së nënës sime Violeta Stavre, e cila ka punuar në repartin e filmit vizatimor të Kinostudios “Shqipëria e re”. Fillova të merrem seriozisht me pikturën pas klasës së tetë. Nëna ime më inkurajoi të konkurroja në liceun artistik. Asokohe futja në lice ka qenë e llahtarshme, shumë selektive, vetëm për një numër shumë të kufizuar nxënësish. Nga qindra e qindra pretendentë nga e gjithë Shqipëria, seleksionoheshin me konkurs vetëm 10 prej tyre. Ndonëse nuk më mbetej shumë kohë për t’u përgatitur para konkursit, punova për një muaj me Gazmend Lekën, i cili ka qenë koleg me nënën time. Për fat të keq, nuk arrita të futem në lice herën e parë, isha diku tek i dyzeti në listën e konkuruesve. Por, ngaqë e kisha me shumë pasion, vendosa të rikonkuroja dhe t’i jepja më shumë kohë vetes të përgatitesha. Për gati një vit, paraditeve shkoja te Shtëpia e Pionerit e lagjes n. 10 me profesor Bashkim Dervishin, kurse mbasditeve, deri në 00:00 të natës, punoja në studion e Gazmend Lekës, duke vizatuar modele të ndryshme lulesh allçie.

    Po të jesh një vizatues i mirë, mund të jesh edhe piktor e skulptor i mirë. Vizatimi është baza e çdo gjëje, qoftë për pikturën, qoftë për skulpturën dhe artet e tjera figurative. Vitin tjetër konkurova sërish dhe arrita të futem në lice, u përzgjodhën vetëm 10 veta, si gjithmonë. Konkursi ishte shumë i fortë, vetëm 4 prej atyre, që kaluan në lice, ishin djem piktorësh: djali i Vilson Kilicës, i Zef Shoshit, i Edi Hilës, etj. Fillimi i liceut, ka qenë dhe pikënisja e rrugëtimit tim të ardhshëm si piktor. Mbarimi i vitit të dytë, përkoi me hapjen e kufijve dhe ne si familje vendosëm të largoheshim në Greqi, ku qëndruam një vit. Nderkohë, e humba edhe një vit tjetër shkolle. Pasi u kthyem, përfundova edhe dy vitet e mbetura të liceut. Në vit të tretë zgjedh ç’drejtim do të marrësh në lice; mes grafikës, monumentalit, tekstilit e skenografisë dhe unë zgjodha të specializohesha për kostumografi e skenografi, me profesore Anila Zajmin. U largova sërish nga Shqipëria për dy vite të tjera dhe u ktheva në vitin 1996, që të konkurroja në Akademi për skenografi.

    Në konkursin për të hyrë në Akademi dola i pari dhe ky vlerësim më rriti vetëbesimin. Degën e skenografisë e kapte Fakulteti i Artit Skenik, i bënim lëndët e përgjithshme me aktorët e regjisorët, pra nuk ishim tamam-tamam tek artet figurative. Ndodheshim në tjetër godinë dhe kishim lidhje me regjinë, ngaqë skenografia detyrimisht lidhet me regjinë. Skenografët gjithmonë bashkëpunojnë shumë ngushtë me regjisorët. Ato katër vite ishin shumë interesante, m’u dha mundësia të eksperimentoja me materialet, teksturën, ngjyrën, formën. Në fakultet, në ndryshim nga shkolla tradicionale që ishim mësuar në lice, abstragonim duke e transformuar veprën totalisht. Gjithë pjesa e Akademisë ka qenë eksperimentim, deri në vitin 2000, që jam diplomuar për skenografi e kostumografi.

    Ëndrra ime ishte të bëhesha skenograf teatri, filmi apo dhe kostumograf. Shqipëria e fillimviteve ‘2000 ka qenë pak problematike, madje edhe sot ka mungesa të mëdha, imagjino atëherë. Pas dy vjetësh vendosa të vija në Bruksel e t’i bashkohesha tim eti, që ishte vendosur më parë në Belgjikë. Im atë, Arian Miluka, ka qenë regjisor i cirkut të Tiranës. Fëmijë, pa filluar ende shkollën, kam qenë i apasionuar pas cirkut. Sa herë që shkoja në çadrën e cirkut të Tiranës, për mua ishte sikur futesha në një botë tjetër, çdo gjë ishte shumë magjike, e humbisja lidhjen me realitetin rreth e përqark. Më kujtohen lojrat, ngjyrat e ndezura, xhonglerët, gjiimnastët, kërcimet, arushi Mira, qentë, etj. Cirku ka qenë zbulimi im i parë dhe ende vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në qenësinë time artistike dhe në botëkuptimin tim.

    Belgjika ishte zbulim, sepse po shihja një vend, që në njëfarë mënyre isha i lidhur edhe më parë përmes librave mbi jetën e piktorëve. P.sh., Van Gogh në fillimet e veta si piktor, ka kaluar një periudhë të jetës edhe në Belgjikë, çka duket në pikturat e tij të zonave rurale, si “Ngrënësit e patateve” dhe ato të familjeve, që punonin në miniera. Gjithë kjo periudhë e Van Gogh-ut, që është pak e zymtë, i përket kohës kur ai ishte në Belgjikë. Van Gogh ka qenë për mua dashuria e parë, kur e zbulova gjatë viteve ‘80, përmes librit “Etja për jetë”. Të lexosh atë libër në atë moshë, krijon një impakt shumë të madh edhe në vazhdimësi. Ai libër ka një gjë të veçantë, sepse përmban të ilustruara disa nga pikturat e V. Gogh-ut, çka në sytë e mi asokohe e bënte më magjik.

Si ka mundësi që e bën qiellin të verdhë? Ku ka qiell të verdhë!?

Janë një sërë piktorësh belgë, që kanë shënuar historinë e artit figurativ, si piktori i njohur belg dhe një nga themeluesit e surrealizmit Magritte, James Ensor, Paul Delvaux, Rubens, Jan van Eyck, Brueghel, etj. Gjatë kohës së studimeve në Tiranë, isha i dashuruar përmes librave, që huaja nga Biblioteka Kombëtare, me Michelangelo-n, Raffaello-n, Da Vincin, Giotto-n, Hieronymus Bosch, Albrecht Durer, Van Gogh, Chagall, Picasso, Gustav Klimt, Matisse, etj., gjithë plejada e autorëve, që kanë pasur ndikim të madh në formimin tim. Belgjika ishte zbulimi i gjithë këtyre piktorëve, sepse duke parë nga afër pikturat e tyre dhe jo përmes fotografive, kishin një tjetër impakt tek unë. Është shumë e ndryshme ndjesia kur e sheh në fotografi, nga ajo në realitet, sepse ekzistojnë kaq shumë gjëra, që fotografia s’t’i jep dot. Ata kanë qenë për mua shkolla e vërtetë.

        Jam kritiku më i madh i punës sime. Madje, do të thosha, që mospërsëritja, më tremb më shumë se përsëritja. Duke eksperimentuar herë pas here me ngjyra e stile të ndryshme pikture, arrita t’i jap pikturës sime, identitetin e dallueshëm që ka sot. Në vitet e Akademisë kam eksperimentuar shumë me materialet, ngjyrën, ndryshimin dhe copëtimin e figurës. Tashmë, teknika që përdor është pak më e ndryshme, më tepër kërkuese, më selektive dhe më e koncentruar. Më përpara pikturoja natën, nata ka qenë pjesa që më jepte ndjesinë krijuese më të madhe në krahasim me ditën, sepse atëherë nata më dukej më e qetë; të krijohej ndjesia, që ndodheshe më brenda vetes, që mund të nxirrje më shumë gjëra nga brendësia. Kurse tani mund të pikturoj në çfarëdolloj ore, me kalimin e viteve, ka filluar të ndryshojë edhe pjesa e natës.  

    Muzetë vazhdojnë të më frymëzojnë, sidomos përsa u përket veprave të mjeshtërve të mëdhenj. Po të shkosh të shohësh periudhën e pikturës flamane, ka gjëra pa fund për të parë. Mjafton të shohësh Rubens, që fillon me vizatimet, të cilat janë shumë të bukura e gjer te pikturat e tij gjigante dhe mund të kalosh gjithë ditën aty, pa e ndjerë fare. Jo vetëm muzetë, por edhe panairet e artit, për fat të mirë janë të shumta në Bruksel. Një nga avantazhet e të jetuarit në Bruksel, është afërsia gjeografike me Parisin, Amsterdamin dhe qendra të tjera të rëndësishme kulturore. Kur kam shkuar për të parë piktura konkrete, si “L’origine du monde’’ të Gustave Courbet në Musee d’ Orsay në Paris, mendoja sa guxim i madh të krijosh një lloj pikture të tillë! Si të jetë ndjerë artisti, kur e ka krijuar atë vepër? Vizita në muze e ekspozita është magjike.

    Duke iu referuar një shprehjeje të Da Vincit, letërsia është pikturë e heshtur dhe piktura është letërsi vizuale. Për mua piktura është kryesisht poezi dhe poezia në njëfarë mënyre është pikturë. Poezia, në ndryshim nga proza, është shumë e koncentruar, sikurse edhe piktura. Copëza poezish, që më mbeten në mendje, kthehen në burim frymëzimi në pikturën time.

Felini thotë, që nëse krijimi nuk ka ndonjë aksident gjatë rrugës, nuk mund të jetë i bukur

Artit, në një moment të caktuar, duhet t’i ndodhë një aksident, që të befasojë edhe vetë krijuesin, sepse kjo sjell dhe befasimin e publikut. Përsa i përket prozës, më pëlqejnë shumë shkrimtarët e realizmit magjik, të cilët krijojnë realitete të befasishme, që ti nuk i pret. Nga letërsia shqiptare, Kadareja ka nota të fuqishme të realizmit magjik. Nga letërsia e huaj, Murakami është ndër të preferuarit e mi. Muzika gjithashtu, është shumë e rëndësishme gjatë procesit të krijimit, dëgjoj muzikë gjithë kohës. Zakonisht, kur nis të pikturoj, preferoj të dëgjoj muzikë klasike, pasi të jep hapësirë, nuk të krijon kufizime. Më vonë kaloj në jazz e zhanre të tjere muzikore. Madje një ditë, që po pikturoja pa dëgjuar muzikë, më thotë im vëlla: “Si ka mundësi, që po pikturon pa muzikë?” Siç duket ngaqë kisha muzikë brenda kokës sime.

    Kur u nisa për të ardhur në Belgjikë, synimi im ishte të merresha me pikturën. FiIllimi ka qenë i vështirë, pasi nuk njihja asnjë nga të dyja gjuhët e vendit, frëngjishten e hollandishten. Ky fragmentarizim gjuhësor, reflektohet edhe në mendësinë e ndryshme, që ndan valonët nga flamandët, çka e bënte më të vështirë integrimin tim në jetën kulturore belge. Për një kohë të gjatë, më është dashur të merrem me punë të ndryshme, gjersa të ekspozoja sistematikisht punët e mia. Prezantimi im i parë ka qenë 5 muaj pas ardhjes sime, por ishte më tepër “një spunto”, për të krijuar besim te vetja. Belgjika ka histori shumë të gjatë, kur flitet për artet figurative, ndodhesh përballë kolosëve të artit e ti duhet të pozicionohesh, që të gjesh vendin tënd te ky puzzle i madh i këtij vendi.

    Ngaqë shkolla në Shqipëri ka qenë shumë e drejtuar ndaj të ashtuquajturit realizëm socialist, nuk desha t’i qëndroj strikt pikturës reale. Kjo më krijon më tepër liri, sepse luaj me subjektin, formën, ngjyrat sipas mundësive, që vetë piktura m’i kërkon. Ti mund të kesh një ide, por pastaj ta dikton piktura si mund të vazhdosh e ta mbyllësh. Kam pasur periudha tranzitore, që piktorët i kalojnë, sidomos në adoleshencë. Pikëpyetjet janë gjithandej, që më pas shndërrohen në pikëpyetje ekzistenciale.

Piktura ime dominohet nga tre periudha: periudha e kuqe, periudha e verdhë dhe periudha e gjelbër.

   Të kuqen, e quaj periudhën e pasionit dhe të tërbimit, sepse vetë e kuqja është një ngjyrë që s’të lë indiferent në asnjë moment, por edhe shumë e rrezikshme si ngjyrë, sepse e kuqja ose ta vlerëson punën maksimalisht, ose ta zhvlerëson. Dy-tre nga pikturat e mia, ku e kuqja është dominante, kanë qenë ndër punët më të shitura apo më të pëlqyera. Por, është edhe si thikë me dy presa, sepse nëse nuk do dish ta përdorësh, e kuqja ta shkatërron punën. Duhet të jesh goxha i guximshëm, që ta përdorësh.

    Në periudhën e të verdhës, mbizotëron e verdha solare. Ndoshta kjo ka ardhur, ngaqë në Belgjikë mungon dielli dhe nevoja për dritë është më e madhe. E verdha ime është e verdha e energjisë, e verdha hyjnore, nëse mund ta quaj kështu, ajo që përdoret edhe në ikona. E verdha është më afër të florinjtës, të kujton diellin. Ka karakter trashendent, sepse të sjell më afër me qielloren, bëhesh më solar.                      

Tani jam te periudha e gjelbër, ka më tepër qetësi, lidhet me natyrën. Kur ishim në shkollë, një nga pyetjet ishte: “A e dini se sa jeshile ekzistojnë”? Ka një spektër të pafund të së gjelbrës dhe e gjelbra është e vetmja ngjyrë, që spektri shkon deri në 13 jeshile të ndryshme. E gjelbra është një ngjyrë delikate, interesante dhe e vështirë për të gjetur kombinimin e saktë me ngjyrat e tjera, sepse disa herë duhet të jetë pak më e theksuar nga ngjyrat që i vendos afër dhe në raste të tjera duhet të jetë pak me diskrete, më timide. Edhe e gjelbra është e rrezikshme, por po u përdor mirë, përçon një lloj qetësie. E gjelbra është më tokësore, më e qetë dhe më humane.

    Më mungon deti i Shqipërisë. Udhëtimi i parë brenda Belgjikës, ka qenë Bruksel - Blankenberg me makinë, pjesa e plazhit, siç kemi pasur ne të Tiranës, Durrësin, me pak fjalë. Bregdetin nuk e sheh menjëherë, ngaqë është i mbuluar nga duna rëre, duhet të ngjitesh sipër, që të shohësh detin. Parkuam, u ngjitëm sipër kodrës dhe na doli përpara një det shumë i gjerë, në ngjyrë të hirtë. Ishte festa e Belgjikes, të gjithë kishin prenotuar dhe ne që habiteshim, si këta njerëz vinin të pushonin në detin gri të Belgjikës. Kurse deti ynë ka të gjitha nuancat e së kaltrës e blusë, është i bukur dhe transparent. Megjithëse çdo vit shkoj në det, kam idenë se mali do të më pëlqente më tepër. Kur je në mal ndjen një lloj tjetër oksigjeni, uji është ndryshe, tingujt, tjetër dashuri. Je shumë më lart jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht, ta ngre peshë ndjesinë e qenies.

    Tirana për mua është dashuri më vete, sepse çdo gjë që lidhet me fëmijërinë tonë është dashuri e veçantë, ngaqë loz rol në ndërtimin tënd si qenie. Sado që ta mënjanosh apo ta lësh në harresë, qyteti ndodhet brenda teje, pavarësisht ndryshimeve. Tirana ku jam rritur, ka qenë më e vogël, më e sistemuar. Pasi u vendosa në Bruksel, bëra 10 vjet të shkoja në Tiranë, nga 2002 – 2012. Pësova shok, se kishte një boom ndërtimesh të paparë, pa rregull, kishin mbirë pallatet si kërpudhat pas shiut, vështirësoheshe të gjeje rrugët për të shkuar në shtëpi. Kur është qyteti jot, edhe symbyllur e njeh, se ke aromat, zhurmat e qytetit, jeton brenda teje. Për mua kështu do të mbetet gjithmonë, sado që Tirana të ndryshojë, do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e imja. Ndoshta në një moment mund të kthehem e të jetoj atje, të gjithë kanë Itakën e vet. Ngaqë kam lindur në qytet, nuk jetoj dot pa njerëzit dhe zhurmat e qytetit. Por, nga ana tjetër, kam nevojë të arratisem, që është shumë e rëndësishme për vetë krijimin dhe këtë e marr nga natyra

    Bota e kafshëve është shumë e pranishme në pikturën time. Tigri më pëlqen shumë si kafshë dhe përkon edhe me shenjën time në horoskopin kinez. Tek “Aleph” i Borgesit ka një pasazh, ku thotë, që “në lëkurën e leopardit, unë pashë Zotin”. Këtë simbolikë, e ndjej edhe te lëkura e tigrit.

Hyjnorja ndodhet edhe te njeriu, e mira dhe e keqja në filozofinë budiste janë pjesë e së njëjtës gjë, pjesë e krijuesit 

Një element tjetër në pikturën time është kukuvaja. Kukuvajën grekët e lashtë e kanë si simbolin e mençurisë, të urtësisë. Elementët simbolikë krijojnë detajet, që e bëjnë veprën e artit të ketë narrativën e vet në mungesë të fjalës. Figurat ndihmëse, që përdoren në pikturën e madhe, krijojnë gjuhën e komunikimit. Një kafshë tjetër e dashur për mua është edhe majmuni. Simbolikisht është kafsha më e ngjashme me ne në aspektin fizik dhe sikurse edhe njeriu, ecën me dy këmbë. Komunikimi, që kemi me kafshët është shumë spiritual, me kafshën ti nuk komunikon dot me fjalë, por me ndjesi. Qëkur Robi, qeni ynë i familjes prej 11 vjetësh, që para pak kohësh kaloi në amshim, u fut  në jetën time, shumë gjëra i shoh ndryshe. Prania e tij më ndryshoi lidhjen me natyrën dhe me universin, edhe unë, edhe Robi jemi pjesë e një mbretërie të përbashkët, askush nuk sundon askënd.

Jam spiritual në kuptimin, që lidhjen me hyjnoren e marr përmes artit. Nuk i përkas një dogme fetare, por më pëlqen të vizitoj tempujt, për shkak të ndjesisë që të krijohet kur je aty dhe pjesës së artit, që përmbajnë. Çdo gjë është e krijuar nga njeriu, edhe kishat, edhe sinagogat, edhe xhamitë, edhe tempujt budistë, etj.

     Atelieja ime zë një hapësirë të vogël brenda shtëpisë, por është një vend shumë intim, ku çdo gjë është e vendosur me shumë rregull. Mundohem t’i krijoj hapësirë vetes kur punoj, pikërisht për shkak të sipërfaqes së kufizuar. Ka libra, cd, instalacione të vogla, që të krijojnë një lidhje me fëmijërinë, një lule të vetme të gjelbër, që kishte filluar të vyshkej atje ku ndodhej më parë dhe e mora në atelienë time, dy tavolina, një për pikturë dhe një  për shkresurina, kavaleti, etj.

    Aktualisht, përjetoj ndjesi të shumëfishta, sepse vepra të ndryshme të miat janë të ekspozuara në të njëjtën kohë në katër vende të ndryshme. Kam punë që ndodhen në ‘Hotel Plaza’ në Tiranë, në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, në ‘Belgian Chocolate Village’ dhe në ‘ShqipVille’ në ‘Grand Place’, në qendër të Brukselit. Ekspozita më e fundit në ‘ShqipVille’ i kushtohet ekskluzivisht figurës së gruas, kësaj muze të përjetshme, që përbën themelin e pikturës sime. Madje, gjatë hapjes së ekspozitës, drejtuesja e ShqipVille, bashkë me mua dhe të ftuarit, vendosëm të bënim një pikturë aty për aty, gjëja e parë, që do të na vinte në mendje. Nuk kishte rëndësi nëse pjesëmarrësit, do të kishin talent në pikturë. Unë isha aty për të ndihmuar dhë për të ndërhyrë në momente të caktuara, që të përfundonte si punim. Tabloja ka përmasa 200cm x 150 cm dhe në datën 29 mars, do të dalë në ankand për t’u shitur. Të ardhurat e mbledhura nëpërmjet “Maison Culturelle Belgo – Albanaise/ShqipVille” dhe në bashkëpunim me UN Woman dhe shoqatat për të drejtat e gruas, do të shkojnë për qëllime bamirësie, për të ndihmuar sadopak gratë në nevojë. Pra, ideja e kësaj tabloje spontane, shoqërohej më së miri me ekspozitën time, kushtuar figurës së gruas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.