Koncesioni i sterilizimit, masë sigurie për ish-ministrin Beqaj

Postuar në 18 Nëntor, 2023 15:23

SPAK ka caktuar sot masën e sigurisë detyrim paraqitjeje ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Vendimi lidhet me dosjen e sterilizimit, e cila është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Krahas detyrimit për paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore, Beqajt i ndalohet edhe largimi jashtë vendit. 

Tre muaj më parë, SPAK zgjeroi hetimet për dosjen e sterilizimit, duke përfshirë edhe ish-ministrin Ilir Beqaj dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, për koncesionin e sterilizimit.

Gjykata e Posaçme kërkoi përfshirjen e Beqajt në grupin e të akuzuarve me arsyetimin se ka indicie që në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë në kohën kur u dha koncesioni, ai ka paracaktuar fituesit, nuk ka ndalur konfliktin e interesit dhe ka bërë udhëtime me përfituesit e koncesionit.

Në kuadër të këtij hetimi, deri tani janë vënë në pranga (aktualisht në arrest me burg) ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore Ilir Rrapaj, me akuzat e mashtrim, falsifikim dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim. Ndërkohë, janë ndaluar dhe më pas janë lënë në arrest shtëpie dy drejtorët ekonomikë dhe juridikë, si dhe katër komisionerë të koncensionit në detyrim paraqitje.

Koncesioni me vlerë 100 milionë dollarë u firmos në dhejtor 2015, kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj.

Beqaj mbante deri sot detyrën e kreut të SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Ai njoftoi dorëheqjen nga ky post menjëherë pasi mori vendimin e SPAK.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.