Britani, shkarkohet ministrja e Brendshme
Suella Braverman, ministrja e Brendshme britanike, u shkarkua nga detyra, pas disa komenteve në lidhje me protestat pro palestineze në Londër. Vendimi u mor nga kryeministri Rishi Sunak. Braverman ka shërbyer si ministre e brendshme e Sunak gjatë mandatit të tij në Downing Street, por retorika e saj konfrontuese ndaj migrantëve, protestuesve, policisë dhe madje edhe të pastrehëve ka shkaktuar përçarje në kabinetin e Sunak dhe ka nxitur spekulimet se ajo po komplotonte për të marrë drejtimin e qeverisë.
Së fundmi, ajo është kritikuar për komentet në adresë të forcës policore të Londrës, të cilën e akuzoi për "standarde të dyfishta" në mënyrën se si menaxhojnë protestat. Të shtunën, kundërprotestuesit e ekstremit të djathtë u përleshën me policinë në qendër të Londrës pasi Braverman e quajti demonstratën pro-palestineze një "marsh urrejtjeje". Largimi i saj nga qeveria vjen në një moment kur sondazhet tregojnë se partia e Sunak gëzon mbështetje të ulët në mesin e votuesve, që pritet t’i çojë drejt drejt një humbjeje potencialisht katastrofike elektorale vitin e ardhshëm.
Braverman ka qenë prej kohësh një figurë kontroverse brenda Partisë Konservatore. Ajo është përpjekur të emocionojë bazën e krahut të djathtë me mesazhe populiste dhe të bëhet fytyra e qëndrimit të ashpër të Britanisë kundër azilkërkuesve dhe emigrantëve të paligjshëm, por retorika e saj dhe qëndrimi i mbushur me polemika në qeveri i ka shqetësuar shumë anëtarë të moderuar të partisë. Sunak ka këmbëngulur shpesh se kishte besim te Braverman. Por shkarkimi i saj forcon hipotezën e një betejë potenciale për pushtet në krye të partisë në pushtet, duke e çuar Britaninë drejt një tjetër destabiliteti politik.
Një sfidë lidershipi kundër Sunak do të ishte një rrezik dramatik për një parti që ka kaluar tashmë pesë kryeministra në shtatë vjet, ndërkohë që ka një pakënaqësi në rritje në radhët e saj për paaftësinë e Sunak për të ndryshuar fatin e konservatorëve. Braverman mund të shfaqë ambicien për drejtimin e partisë pas zgjedhjeve që priten në fund të vitit të ardhshëm, nëse konservatorët humbasin pushtetin ndaj Partisë Laburiste të opozitës.
Add new comment