Degradimi i shkollave tona

Postuar në 30 Tetor, 2023 09:03
Jak Simoni

 

Sipas  filozofit të shquar gjerman Ernest Bloch, ka dy lloje shkollash: “shkolla e rreptë e mënyrës së vjetër; shkolla e kafshëve me samar, nga ku rrjedh njeriu i stërmunduar dhe shkolla e edukimit  lasist që të bën sipërfaqësor dhe injorant; nga ky tip shkolle rrjedh njeriu playboy”. Me sa duket ne shqiptarët shquhemi për kalimin nga një ekstrem në tjetrin në të gjitha fushat.

Dhe shkolla jonë, nga shkollë e rreptë, ku nxënësi rrihej me një “mjet didaktik”; shkopin tregues të  hartës, se nuk dinte datën e krijimit të partisë, ditëlindjen e udhëheqësit apo se mund të kishte  harruar shallin e pionierit në shtëpi, është shndërruar në shkollë, ku nxënësit dhunojnë mësuesit. Rasti i fundit në Lezhë është vetëm maja e ajsbergut të asaj që ndodh në shkolla.

Mësuesit duhet të përballojnë përditë situata të paparashikueshme si kërcënime, sharje, madje dhe dhunë. Mësuesit askush nuk i mbron, madje as drejtorët, një pjesë e mirë e të cilëve të emëruar politikisht.

Është e vështirë për të ndryshuar situatën, por jo e pamundur. Për rastet ekstreme pse mos të  ashpërsohen masat ndëshkimore? Kur fëmijët janë të  rritur për kryer akte penale, pse mos të jenë të rritur për të paguar, natyrisht në struktura të posaçme dhe duke pasur hapur gjithmonë mundësinë e rikuperimit shoqëror? Gjithashtu duhet ndryshuar koncepti për përsëritjen e vitit dhe për përgjegjësinë e prindërve për aktet e fëmijëve. Pyesni ato të afërm që  kanë fëmijë në Itali a kalojnë të gjithë dhe se  çfarë përgjegjësie mbajnë prindërit për sjelljen e fëmijëve! Tek ne  ngelja në klasë konsiderohet si ofendim.

A ka psikologë dhe punonjës socialë nëpër shkolla që, së paku, të bindin nxënësit se nuk është fare humbje e vitit por kohë në dispozicion të dijes? Humbje janë vitet e tëra që kalojnë kot, shpesh dhe nëpër burgje, pas një diplome të pamerituar. Ndërkohë nga ana tjetër në shkolla mësuesit  duhet ta meritojnë respektin, sepse dhe fëmijët urrejnë padrejtësitë, ndoshta më shumë se të rriturit. Këtë respekt do ta meritojnë, kur mos të vihen nota kot, nota kursesh, nota nga miqësitë, nga ndërhyrjet, nga kërcënimet, nota kopjesh kryesisht në maturën shtetërore, të cilave një vendim absurd i qeverisë u jep vlerë 50% për të fituar programin e preferuar në shkollë të lartë.

Kështu që lodhja disa vjeçare e nxënësve dhe mësuesve ka të njëjtën vlerë me kopjet në maturë. Mësuesve do tu  kërkohet llogari për sa u tha, por gjithashtu duhet të jenë të pacenueshëm; duhet të mbrohen nga shteti dhe shoqëria.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.