Video/Kështu duhen përcjellë edhe nga SPAK pamjet e vilave të ministrave që kontrollohen për hetim
Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund.
Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.
Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë.
Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist
Këto shkruan sot në faqen e vet në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, teksa publikon pamjet nga vila e heroit serb të ngjarjeve të Banjskës. Kjo është e vërteta e padukshme e lojtarëve të Aleksander Vuçiçit në Kosovën Veriore, që njësojë si kolegët e tyre në Ballkan, e krijojnë pasurinë pas flamurit të nacionalizmit.
Tani këto pamje ndoshta depërtojnë edhe te publiku në Serbi që mund të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe pse njerëz të tillë janë përherë të gatshëm të marrin armët. Mbrojnë pasurinë e tyre. Për në Shqipëri, këto plane vlejnë si model për SPAK-un apo këto institucionet e tjera të drejtësisë që do të ishte e udhës t’u tregonin qytetarëve vilat dhe apartamentet ku bëjnë kontrolle, sidomos kur ato u përkasin zyrtarëve të lartë, të paprekshmëve të përjetshëm.
Të shohin edhe qytetarët shqiptarë se ku jeton dhe si jeton udhëheqja që drejton këtë vend, por edhe për të vënë një standard barazie në trajtimin e njerëzve, meqenëse për çdo arrestim përdoruesi hashashi, apo hajduti banesash, përcillen pamje të anonimizuara të operacioneve.
Add new comment