Disa deklarata që duhen shmangur

Postuar në 20 Shtator, 2023 14:41

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se çdo vizitë e mundshme pa leje e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kosovë, do të çojë në arrestimin e tij. Sveçla citohet madje të jetë shprehur se leja për këtë gjë jepet nga kryeministri. Tani, një deklaratë e tillë i ka brenda të gjitha: paralajmërimin, kërcënimin, vendosmërinë publike, por edhe parapërgatitjen për ndonjë provokim.

Por në aspektin politik kjo është një deklaratë e panevojshme. Më së paku. Është e qartë se çdo akt arrestimi i Vuçiç do të sillte konfrontime dhe tensionime disproporcionale dhe do të shënonte një moment poshtërimi që do ta bënte të vështirë rindërtimin e klimës për vijim bisedimesh.

Sigurisht Kurtit i duhet një gjë e tillë për të treguar forcën, por forca për hir të forcës, pa i shërbyer ndonjë qëllimi tjetër veç konfirmimit të kredos se “unë e bëj” në politikë nuk shërben për ndonjë gjë. Edhe pse nëse i besojmë presidentit serb, edhe në këtë rast Kurti do ketë mbështetjen e Perëndimit që me gjasë dëshiron ta shohë të gjunjëzuar njeriun e Putinit.

Patjetër që vetë lajmi se Vuçiç do të hyjë në Kosovë pa leje për të vizituar serbët në Graçanicë është provokim i pastër dhe një lajm që nuk shërben për asgjë. Ai zvogëlon autoritetin e presidentit serb sepse në atë akt ka shumë pak seriozitet dhe një investim emocional që pak ka të bëjë me natyrën e problemeve me të cilat përballet sot rajoni. Serbët në Kosovë nuk janë të kërcënuar siç pretendon Beogradi, ata janë nën garancinë ndërkombëtare. Dhe Beogradi deri më tani nuk ka shprehur mosbesim te KFOR. Vizita e Vuçiç në Kosovë nuk ofron as ngushëllim dhe as mbrojtje. Ajo vetëm sa intoksikon më shumë marrëdhëniet dhe ushqen një duel verbal mes palëve që në fakt evidenton se çfarë kulture politike dominon në rajon.

Pas krizës së fundit në Veri, gjatë së cilës Kosova qëndroi ndaj çdo presioni, është e udhës që dera e dialogut të mbahet hapur me çdo kusht pasi me ezaurimin e përballjes në terren, lufta e vërtetë vazhdon në tavolinë. Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë Sveçla nëse KFOR deklaron se vizita e Vuçiç nuk përbën problem në aspektin e sigurisë, ndaj është e udhës që shuplaka të tilla të shmangen. Ka mjete të tjera me të cilat një shtet ushtron autoritetin e vet, që nga kontrolli në kufi, deklarimi i vizitës, llojit të saj, kufizimi i personelit shoqërues e deri te kërkesa për të simetrizuar me Preshevën në formë sistematike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.