Azerbajxhani nis operacionin ushtarak në Nagorno-Karabak
Azerbajxhani ka nisur "operacionet kundër terrorizmit" në Nagorno Karabakh, gati tre vjet pas luftës së fundit me Armeninë për rajonin e diskutueshëm. Ministria e Mbrojtjes në Baku bëri të ditur se ka informuar Rusinë dhe Turqinë. Shpërthimet janë dëgjuar në bastionin separatist armen të Stepanakert, i cili mendohet se ka rënë nën kontrollin e Azerbajxhanit. Ky i fundit pretendon se ka hapur korridoret për të evakuuar civilët nga rajoni. Separatistët raportojnë për vrasjen e 2 civilëve dhe plagosjen e 11 të tjerëve, mes tyre 8 fëmijë.
Sipas BBC, Bakuja akuzon forcat armene se kanë "bombarduar sistematikisht" pozicionet e ushtrisë së Azerbajxhanit dhe pretendon se janë përgjigjur me "një aksion lokal anti-terrorist... për të çarmatosur dhe siguruar tërheqjen e formacioneve të ushtrisë armene nga territori ynë". E vetmja mënyrë për të arritur paqen, për Azerbajxhanin, është "tërheqja e plotë e forcave të armatosura armene nga Nagorno-Karabaku dhe shpërbërja e regjimit të Stepanakertit".
Nga ana e tij, Jerevani pretendon se nuk ka forca të veta në enklavën në territorin e Azerbajxhanit dhe bën thirrje për ndërhyrjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe paqeruajtësve rusë. Ministri i Jashtëm armen flet për një "operacion spastrimi etnik".
Sulmi ushtarak vjen pas muajsh tensioni rreth rajonit me shumicë armene në Azerbajxhan, mbi të cilin Jerevani dhe Bakuja janë përballur tashmë me njëri-tjetrin në dy luftëra, pas rënies së BRSS në fillim të viteve 1990 dhe sërish në vitin 2020. Që nga dhjetori i kaluar, Azerbajxhani kishte bllokuar efektivisht korridorin e Laçinit, e vetmja lidhje midis Nagorno Karabakut dhe Armenisë, duke vënë në rrezik furnizimin me mallrat bazë.
Kohët e fundit, Jerevani e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë, një fuqi mbrojtëse prej kohësh e Armenisë, se nuk e mbron më sigurinë e saj. Pak ditë më parë pati stërvitje të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Armenisë.
Alarmi nga BE, SHBA dhe Rusia: Ndaloni përshkallëzimin
Sulmi i Azerbajxhanit në Nagorno shqetëson dhe alarmon Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. "Lajme shkatërruese mbërrin sot nga rajoni i dikurshëm i Nagorno-Karabakut. Veprimet ushtarake të Azerbajxhanit duhet të ndalen menjëherë për të lejuar një dialog autentik midis Bakusë dhe armenëve të Karabakut", shkruan në Tëitter presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel. Franca ndërkohë bëri thirrje për ndërhyrje të OKB-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të zhvillojë bisedime urgjente me të gjitha palët për t'i dhënë fund operacionit "të turpshëm" të Azerbajxhanit në enklavën e Nagorno-Karabakut.
Kremlini thotë gjithashtu se po punon dhe është në kontakt me të dyja palët për të ndaluar përshkallëzimin.
Nagorno-Karabakh, historia e konfliktit
Nagorno Karabakh (Artsakh për armenët) është rajon malor në pjesën jugore të maleve të Karabakut, Kaukazi i Jugut. Për nga popullsia, është një enklavë armene brenda territorit të Azerbajxhanit: 120 mijë nga 145 mijë banorët e saj janë armenë. Në nivel ndërkombëtar njihet nën sovranitetin e Azerbajxhanit. Administrativisht është një territor autonom, qeveria e të cilit është afër asaj armene, e cila nuk e njeh zyrtarisht.
Popullsia e Nagorno Karabakut është 80% armene në gjuhë dhe kulturë dhe me traditë fetare të krishterë, çka i dallon nga azerët me origjinë turkmene dhe myslimanë. Prania armene daton në disa shekuj para Krishtit. Azerët pretendojnë praninë shumëshekullore në zonë, e cila gjatë historisë ka njohur dominimin e persëve, turqve dhe rusëve. Rajoni ishte pjesë e Republikës së Azerbajxhanit gjatë kohës së BRSS.
Me rënien e Bashkimit Sovjetik, shpërtheu Lufta e Parë e Karabakut (1988-1994) midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Rreth 30 mijë njerëz u vranë dhe qindra mijëra azerbajxhanas u larguan nga territori. Lufta përfundoi me pushtimin armen të 7 krahinave.
Pas dekadash përleshjesh me ndërprerje, në vitin 2020 Azerbajxhani sulmoi mbrojtjen armene, duke filluar Luftën e Dytë të Karabakut, e cila zgjati 44 ditë dhe përfundoi me fitoren e Azerbajxhanit. Bakuja rifitoi 7 krahinat dhe rreth një të tretën e Nagorno Karabakut. Roli i dronëve të blerë nga Turqia dhe Izraeli ishte vendimtar. Pati 6 500 viktima. Rusia, e cila ka një traktat mbrojtjeje me Armeninë, por edhe marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin, negocioi armëpushimin. Traktati parashikonte që 1 960 paqeruajtës rusë do të mbeteshin për të siguruar korridorin e Laçinit, brezi i tokës që lejon komunikimet midis enklavës dhe Armenisë, të cilin forcat armene nuk e kontrollonin më.
Gjatë viteve janë zhvilluar disa negociata, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara apo Rusia, por një zgjidhje përfundimtare nuk është arritur kurrë. Çështja më delikate është statusi i 120 mijë armenëve për të cilët Jerevani kërkon garanci për respektimin e të drejtave dhe sigurinë e tyre. Kryeministri Nikol Pashinyan deklaroi se Armenia njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Azerbajxhanit, por Bakuja nuk i beson dhe akuzon Jerevanin për nxitje të separatizmit.
Në dhjetor 2022, civilët azerbajxhanas bllokuan korridorin e Laçinit. Në prill të këtij viti, Azerbajxhani vendosi një pikë kontrolli zyrtar, me argumentin se do të përdorej për të parandaluar trafikun e armëve. Në këtë mënyrë, trafiku i mallrave dhe njerëzve midis Armenisë dhe Nagorno Karabakut është komplikuar dhe në masën më të madhe është ndalur. Shtetet e Bashkuara kanë denoncuar një "përkeqësim të shpejtë të situatës humanitare". Javën e kaluar, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dërgoi ndihma humanitare përmes korridorit Lachin dhe një rrugë tjetër që lidh Karabakun me qytetin Aghdam të Azerbajxhanit.
Add new comment