Pandëshkueshmëri 100 vjeçare?

Postuar në 13 Shtator, 2023 13:33

Në një shënim të publikuar sot në faqen e vet në Facebook, kryeministri i vendit, Edi Rama, ndër të tjera ka folur për reformën në drejtësi, që sipas tij i jep fund pandëshkueshmërisë 100 vjeçare në shtetin shqiptar.

Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europianizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithësesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh

Mundet që z. Rama e beson vërtet këtë që deklaron. Mundet që të jetë duke shpikur vetveten për ta kaluar në histori. Sepse së fundmi ka nisur të flasë shumë për të. Mirëpo pretendimi i zotërisë nuk qëndron. Shteti shqiptar është padyshim një histori e suksesshme dështimi, por jo se pandëshkueshmëria ka qenë sistemike në të. Përkundrazi madje, ndëshkimi arbitrar dhe i ekzagjeruar ka qenë simptomatik në shekullin e 20-të që mund të quhet patjetër edhe shekulli i kulminacionit të të drejtës penale.

Le të marrim kohën e Monarkisë. Nëse ka një gjë për të cilën Ahmed Zogu ka hyrë në histori, jo vjedhurazi, por drejtpërdrejt është shtrirja e autoritetit shtetëror në territor, hartimi i ligjeve moderne për kohën(si sot) dhe efektiviteti në zbatimin e tyre. Padyshim që monarkia e Zogut që nis pas vitit 1928 është epoka e artë e korrupsionit. Identik si sot. Mirëpo sistemi i drejtësisë në kohën e Monarkisë funksiononte dhe funksiononte çuditërisht mirë.

Në kujtimet e veta, ish-zv.prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Sotir Qirjaqi, shkruante se nëse thuajse të gjitha hallkat e sistemit admnistrativ zogist dominoheshin nga praktikat korruptive, gjyqësori ishte një oaz i higjenizuar që për nga cilësia e trajtimit të çështjeve civile qëndronte ku e ku më lart se drejtësia e pas viteve 1944. Sigurisht që nuk mjafton një vëzhgim për të përgjithësuar, por është po ashtu domethënëse se në kohën e regjimit të Hoxhës, që ishte edhe regjim i një propagande në shkallë industriale, regjimi zogist stigmatizohej dhe akuzohej, por asnjëherë nuk karikaturizohej si ta zëmë organizata e Ballit Kombëtar. Dhe kjo ka arsyet e veta.

Nëse vijmë më tëhu, në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, pandëshkueshmëria aplikohej vetëm për një njeri: Enver Hoxhën. Të gjithë të tjerët, që nga bashkëshortja e tij e me radhë, nuk do të mund të vinin bast të sigurtë se ishin të paprekshëm. Regjimi i Hoxhës e ndryshoi tri herë Kushtetutën, u investua thellësisht në organizimin e ndjekjes penale duke krijuar madje dy prokurori: Publike dhe Popullore, ndërkohë që në filtrin e organeve të drejtësisë popullore siç quheshin asokohe, nuk kaloi vetëm ish-kryeministri që zyrtarisht vrau veten.

Sigurisht që do thuhet se kemi të bëjmë me regjime autoritare dhe dikatoriale që nuk vijnë në metër krahasues me një sistem demokratik. E vërtetë, sikundër është e vërtetë që një autokraci apo një diktaturë krahas represionit ka si cilësi edhe zbatimin rigoroz të së drejtës së vet. Përndryshe për çfarë e cilësojmë të tillë?

Z. Rama, pra ka ngatërruar termin: ai e ka fjalën për drejtësinë e re të një sistemi demokratik, të cilën mesa duket po e përdor si parashutë për të mbetur pakëz te dera e historisë në të cilën e ka kuptuar se nuk hyhet me përurim kopshtesh dhe ujësjellësash. Dhe duke e ngatërruar në hovin e vet për të qenë lideri i radhës, ka pohuar në të vërtetë se Pandëshkueshmëria, të cilën mund ta karakterizojmë me fjalën e popullarizuar prej tij, Rrumpallë, i takon kohës sonë, pas viteve ’90 e ku përfshihet edhe 10 vjeçari i qeverisjes së tij apo edhe 20 vjeçari i qenies së tij në politikë, ku z. Rama është një ndër figurat e spikatura të mentalitetit “shoku e miku”. 

Mund të duket si një lajthitje verbale, por ajo vë në dukje një dallim të madh mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që është ndërmend të thuhet, përveçse ilustron një lloj injorance jo të faktit historik si të tillë, por të respektit të ta lexuar historinë si udhëzues përveçse shkrelianisht për ndonjë postim në Facebook. Keqkuptimet kolosale që kemi ne me Historinë tonë të afërt, mënyrën sesi kuptojmë funksionimin e sistemeve që kemi kaluar dhe sesi i etiketojmë, dëshmon për një injorancë incizive që ushqehet edhe nga lajthitje të tilla që mund të jenë edhe retorike. Si vend i vogël, nuk do të duhet t’ia lejonim vetes rrëshkitje të tilla sepse kanë pasoja dhe nuk korrigjohen lehtë.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.