Çështja "Gulenistët", Gjykata e Prishtinës dënon me burg ish-shefin e shërbimit sekret të Kosovës
Mediat në Kosovë raportojnë se Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim të ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës, Drtion Gashi. Dënimi ka ardhur pas kërkesës së prokurorisë për çështjen e njohur në media si “Gylenistët”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Gashi në periudhën 23 mars 2019 – 29 mars 2018, akuzohet se si person zyrtar kishte dëbuar gjashtë shtetas të Turqisë që kishin leje qëndrimi dhe të drejtën e punës në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej viktimave, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit.
Prokuroria ka pretenduar se Gashi për këtë procedurë s’e ka njoftuar as presidentin e as kryeministrin, siç kërkohet me Ligjin për AKI-në dhe as kryeprokurorin e Shtetit, duke tejkaluar kompetencat.
Gjashtë shtetasit turq janë dënuar si pjesë e lëvizjes politike të Fethuhllah Gulenit dhe aktualisht që të gjithë janë në burgje të Turqisë. Cihan Ozkan, Kahraman Demirez e Osman Karakaya janë dënuar me nga 7 vjet e gjysmë. Me 8 vjet e gjashtë muaj është dënuar Hasan Huseyin Gunakan i cili u dëbua gabimisht. Me 10 vjet Yusuf Karabina. Ndërsa dënimin më të madh e mban Mustafa Erdem, 15 vjet burg
shkruan gazeta “Koha Ditore”.
Rasti në fjalë na sjell në kujtesë incidente të ngjashme në Shqipëri me shtetas turq që janë nxjerrë jashtë vendit në mënyra shumë të dyshimta. Po kështu, qeveria e z. Rama vendosi mbylljen e një institucioni arsimor që drejtohej nga drejtues turq që presupozohet se ishin të lidhur me lëvizjen “Gulen” duke krijuar një precedent ligjor.
Në Shqipëri edhe çështja e Xhamisë së Namazgjasë mbahet peng i një marrëdhënieje të ndërlikuar mes Tiranës zyrtare dhe Turqisë, e cila ka bërë presion të madh për gulenistët. Ajo që mbetet ende për t’u zbuluar është aspekti juridik dhe ligjor, si në rastin e Kosovës, që herët apo vonë do të nxjerrë krye dhe më së paku do shqyrtojë seriozitetin e këtij shteti.
Add new comment