Kemi hyrë në epokën e Antropocenit
Shkencëtarët thonë se aktiviteti njerëzor e ka ndryshuar aq rrënjësisht gjeologjinë, atmosferën dhe biologjinë e tokës, saqë ka futur planetin në një epokë të re gjeologjike të njohur si Antropoceni. Prova të këtij kalimi janë gjetur në liqenin e Ontarios në Kanada.
Anëtarët e Grupit të Punës Antropocene (AWG) besojnë se gjetjet mund të ndihmojnë në përcaktimin e një date fillimi për epokën e re të ndikuar drejtpërdrejt nga njeriu.
Është mjaft e qartë se shkalla e ndryshimit është intensifikuar në mënyrë të pabesueshme dhe kjo është si pasojë e ndikimit njerëzor
citohet nga Al Jazeera gjeologu i Universitetit të Leicester, Colin Waters. Ai shpjegoi se aktiviteti njerëzor "nuk po ndikon më vetëm në sferën e Tokës, por në fakt po e kontrollon atë”.
Liqeni Crawford ndodhet afërsisht 60 km (37 milje) në perëndim të Torontos. Sedimenti i depozituar në fund të liqeneve mund t'u sigurojë shkencëtarëve prova gjeologjike të ndryshimit të kushteve mjedisore.
Shkencëtarët arritën të dokumentonin midis shtresave të sedimentit një ndryshim dramatik dhe, të paktën në aspektin gjeologjik, të papritur në kushtet e tokës
Një pjesë e këtij ndryshimi është prania e plutoniumit në sedimentin e liqenit. Plutoniumi rrallë gjendet natyrshëm, çka i ka bërë shkencëtarët të arrijnë në përfundimin se mund të ketë ardhur nga testimi bërthamor në vitet 1950. Sipas gjeologëve, plutoniumi shërben si "markues i qartë" për zhvendosjen në Antropocene, epokën e njerëzve. Ai dhe anëtarët e tjerë të AWG kanë propozuar emërtimin e fillimit të epokës së re midis viteve 1950 dhe 1954. Nëse pranohet, Antropoceni - që rrjedh nga "anthropo", që do të thotë "njerëzor" - do të shënonte përfundimin e Holocenit, epokës që mbulon 11 700 vitet e fundit.
Ideja e një epoke antropocene ende nuk është njohur zyrtarisht. Propozuar për herë të parë nga kimisti fitues i çmimit Nobel, Paul Crutzen rreth 20 vjet më parë, për Antropocenin ka pasur debat të ashpër: shkencëtarët nuk pajtohen se kur mund të ketë filluar apo edhe si ta përkufizojnë atë. AWG do t'i paraqesë gjetjet e saj në Komisionin Ndërkombëtar për Stratigrafinë, i cili ka për detyrë të emërtojë epokat gjeologjike të historisë së tokës. Disa komitete shkencore duhet ende të votojnë për të njohur Antropocenin përpara se të pranohet përgjithësisht.
Add new comment