Deklarata e Vidovanit/Serbët paralajmërojnë vajtim kolektiv dhe Zhvillime, 36 vjet pas Millosheviçit
Serbët paralajmërojnë zhvillime në Kosovë. Kanë ruajtur datën e 28 qershorit për këtë ku pritet të zbulohet edbe një dokument i ri. Mediat në Kosovë njoftojnë se në Mitrovicë është publikuar ajo që po quhet Deklarata e Vidovanit, që flet për një dramë serbe në mes të Europës.
Dhjetë vjet presim të drejtën për një jetë të denjë për njeriun në shekullin 21 dhe mbijetesën tonë në këto hapësira[në Komunat me shumicë serbe]. Është moment që e vërteta të dalë në pah, dhe në këtë VIDOVDAN haptas të thuhet se a do të kemi Bashkësinë e Komunave Serbe? Në të kundërtën, e dimë çka duhet bërë
ka thënë ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq.
Ai tha se janë mbledhur në prag të një feste të rëndësishme, për t’i treguar botës se serbët jetojnë në kushte dramatikisht të vështira.
Nëse sheh lojën që bëhet, qëndrimin e Kishës serbe, të Presidentit Vuçiç dhe simbolikën, është e qartë se Beogradi po inskenon një dramë që shtiret se e përjeton si konflikt qytetërimor. 36 vjet pas Millosheviçit, Car Llazari rivdes për Kosovën për të shërbyer kështu absurdit të një politike e cila në fakt ka vetëm një triumfues: Urrejtjen!
Sepse antipatia reciproke, pamundësia e bashkëjetesës mund të jenë legjitime, por viktimizimi i një shteti që ka duart të zhytura në gjak është një gjë e neveritshme. E zbutur vetëm nga cinizmi i diplomacisë paqësuese të Europës.
E ka më të thjeshtë kushdo të imagjinojë një Ballkan me mure, mundësisht me sensorë gjuhësorë dhe njohje fytyre për të mbajtur larg serbin nga shqiptari në mënyrë që serbi të ushtrojë lirisht atributet e veta kristiane dhe europiane, ndërkohë që shqiptari të jetojë i qetë në kaotiken e vet.
Është kurioze ta shohim këtë festival fetar të Beogradit, këtë vaj kolektiv në një tokë të shpallur të shenjtë, por ku mbillet vetëm fara e urrejtjes. Ata që folën dhe flasin për miqësi serbo-shqiptare është e udhës që të rishohin disi qëndrimin e tyre duke patur parasysh jo vetëm paaftësitë tona të ditura, por edhe këtë dogmatizmin serb që nuk do të korrigjojë asgjë.
Nëse historia na ka lënë vetëm urrejtjen për njëri-tjetrin, ashtu qoftë! Jemi kaq të ndryshëm në psikologjinë kolektive dhe politike saqë më mirë të kthejmë kurrizin sesa të vazhdojmë të dëgjojmë pa ndalim një ankesë akademike, politike dhe historike serbe.
s.zaimi
Add new comment