Kushtetuesja i hap dritën jeshile projektit të portit të Durrësit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën për shfuqizimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja në fjalë është ratifikuar nga Parlamenti më 3 dhjetor 2020 dhe mbi të, mes të tjerash, bazohet edhe rizhvillimi i portit të Durrësit.
Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët në nëntor të vitit të kaluar i kërkuan asaj shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje me pretendimin se ishte në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në një padi prej 40 faqesh, e cila u dorëzua në Kushtetuese nga Oerd Bylykbashi, e nxitur nga dyshimi për korrupsion me planet për ndërtimin e Portit të Durrësit, opozita kërkoi anulimin e marrëveshjes bazë.
Kjo e fundit përcakton një fushë të gjerë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në ekonomi, bujqësi, turizëm. Ajo u miratua nga qeveria në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe brenda një jave kaloi edhe në Parlament me 91 vota pro, 5 kundër e 4 abstenim.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar, çka do të thotë se nuk mbetet asnjë pengesë ligjore për vijimin e projektit të shumëkundërshtuar të portit të Durrësit.
Add new comment