Emigrantët, vendet e BE-së bien dakord për "solidaritetin me detyrim"

Postuar në 10 Qershor, 2023 21:34

Vendet e BE-së kanë arritur më në fund (pothuajse) të pamundurën: një marrëveshje për migracionin. Marrëveshja është cilësuar historike dhe mendohet se do të reformojë, për herë të parë në vite, mënyrën si kontinenti i vjetër menaxhon azilkërkuesit. Marrëveshja vendos një ekuilibër midis dy kampeve të mëdha: Vendeve kufitare që duan më shumë ndihmë për trajtimin e azilkërkuesve dhe atyre në brendësi që argumentojnë se shumë emigrantë po hyjnë dhe po lëvizin pa leje brenda BE-së.

Sipas marrëveshjes, shteteve të vijës së parë do t'u kërkohet të ashpërsojnë procedurat e azilit në kufi për ata që konsiderohen të pamundur për t'u pranuar. Atyre gjithashtu do t'u jepet liri më e madhe për të kthyer aplikantët e refuzuar. Po ashtu, vendeve të BE-së do t'u jepet mundësia të zgjedhin mes pranimit të një numri të caktuar emigrantësh çdo vit ose kontributit të detyruar në një fond të përbashkët të BE-së. Megjithatë, edhe kjo marrëveshje ka marrë kritikat e para.

Avokatët e migracionit shqetësohen se zgjerimi i kontrolleve të azilit në kufi thjesht do të shtojë numrin e qendrave të ndalimit, ku njerëzit rrinë për muaj të tërë në kushte të vështira. Sipas draftit, të cilit i referohet Politico.eu, emigrantët që mbërrijnë në BE do t’u nënshtrohen dy procedurave: njëra do të kryhet në kufi dhe mund të përfshijë një periudhë të shkurtër ndalimi. Ndërsa tjetra ka të bëjë me një proces më të lehtë.

Qëllimi është që përmes ndarjes në dy grupe, çdo aplikim të marrë përgjigje brenda 12 javësh. Marrëveshja parashikon që një migrant duhet të ketë "qëndruar" ose të jetë "vendosur" në një vend, ose të ketë familje atje, në mënyrë që të dërgohet në atë vend. Por avokatët e migrantëve janë të frikësuar se BE-ja nuk do të ketë fuqi për të mbajtur secilin vend anëtar në këtë standard.

E cilësuar ndryshe si « solidariteti me detyrim », marrëveshja përcakton që BE të pranojë të paktën 30 mijë emigrantë në vit, ndërsa vendet anëtare do të zgjedhin mes pranimit të kuotave të përcaktuara ose pagesës 20 mijë euro për emigrant në rast se refuzon.

Paratë e mbledhura si « gjobë » për refuzimin do të shkojnë për krijimin e një fondi që BE do ta përdorë për financimin e projekteve jashtë saj, por nuk është specifikuar ende se ku.

Kjo pikë e marrëveshjes po shihet si një mënyrë që po përdor BE-ja për t’u dhënë para vendeve si Tunizia dhe ndaj saj kanë nisur kundërshtimet e para. Polonia është shteti i parë anëtar që ka kërcënuar se nuk do të paguajë, duke përdorur si argument 1 million emigrantë ukrainas që ka strehuar tashmë.

Marrëveshja pritet të shkojë në Parlamentin Europian, për t’u finalizuar para zgjedhjeve të BE-së qershorin e ardhshëm.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.