BuzzFeed mbyll divizionin e lajmeve

Postuar në 20 Prill, 2023 19:13

"BuzzFeed" ka vendosur të mbyllë divizionin e lajmeve, në përpjekje për të shkurtuar 15 për qind të vendeve të punës. Gazetarët janë njoftuar sot përmes një memoje nga shefi ekzekutiv i kompanisë, Jonah Peretti. Shkurtimet do të prekin 180 persona. Rreth 60 nga këto vende pune do të preken nga mbyllja e "BuzzFeed News", sipas një burimi për "New York Times".

Kompania do t’u ofrojë punë një pjese të tyre në "BuzzFeed.com" dhe "HuffPost", të cilat "Buzzfeed" i bleu në 2021.

Në memon e tij, zoti Peretti tha se ai e mori vendimin për të investuar shumë në divizionin e lajmeve të "BuzzFeed" "sepse i pëlqente puna që prodhonte", por pranoi se iu desh shumë kohë që të pranonte që platformat e mediave sociale nuk do të ofronin mbështetjen financiare të nevojshme për të krijuar lajme fitimprurëse.

Kam mësuar nga këto gabime dhe skuadra që ecën përpara ka mësuar gjithashtu prej tyre”, shkroi Peretti. “Ne e dimë se ndryshimet dhe përmirësimet që po bëjmë sot janë hapa të nevojshëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.”

"BuzzFeed" do të vazhdojë të publikojë lajme në "HuffPost", e cila sipas z. Peretti është fitimprurëse dhe më pak e varur nga platformat sociale. Aksionet e "BuzzFeed", e cila u listua në bursë në fund të vitit 2021 nëpërmjet një marrëveshjeje me një lloj të veçantë kompanie guackë, ranë me më shumë se 20 për qind pas lajmit.

"BuzzFeed News", i cili nisi në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, fitoi menjëherë reputacion te gazetarët politikë dhe hulumtuesit e ardhshëm. Faqja fitoi një çmim "Pulitzer" në vitin 2021 për raportimin ndërkombëtar për investigimin mbi ndalimin e myslimanëve nga qeveria kineze.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.