Dekor ndërkombëtar për z. Rama/Në Tiranë vajtohet fati i keq ku ka rënë Britania e Madhe
Në një episod të radhës të podcastit të kryeministrit Edi Rama ka qenë e ftuar një gazetare britanike që jeton në Shqipëri. Alice Taylor. Ndër të tjera zonja në fjalë ka përcjellë një koment të vetin mbi diskutimet e fundit në Britaninë e Madhe për shqiptarët, duke luajtur kështu si dekor në shfaqjet e z. Rama, që janë asgjë më shumë sesa inskenim hipokrizie.
Ushqimi i tmerrshëm, moti i tmerrshëm. Qeveria nuk shkon. Retorika e tyre kundër shqiptarëve. Së pari, është e turpshme. Më vjen turp, kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit.
Më vjen turp nga mënyra si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënës së tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka lindur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme.
Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtë të kthejnë mbrapsht një qënie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje.
Mendoj që është qesharake në momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak
citohet zonja Taylor.
Mund të jetë kështu. Mundet që zonja në fjalë të jetë në një fazë post-britanike të jetës së saj dhe ka migruar shpirtërisht në Mesdhe, konkretisht në Shqipëri ku sheh me sytë e vendasve se çfarë është vendi i saj i origjinës për të Tjerët. Mirëpo ky diskutim do të kishte kuptim real nëse do të bëhej në Britani dhe jo në Shqipëri, edhe pse z. Rama, si shitës i mirë i vetes që është e ka bërë bisedën në anglisht duke e ditur që ajo mund të kontrabandohet me patriotic tax free edhe jashtë për të propaganduar një kostum të pavërtetë. Pse? Sepse z. Rama vetë është racisti i parë në Shqipëri. Nëse dëgjon të gjithë bashkëpunëtorët e tij sesi i ka kooptuar në politikë, do kesh të njëjtën histori: Pse këta do lëmë ne që të na drejtojnë?
Me këtë “Këta” përmblidhet çdo gjë që për një “tirons” të formuar në regjimin e të përkëdhelurve të Enver Hoxhës dhe të vetëpaketuar me ide të vjedhura konsumizmi dhe lirie të vjedhura lart e poshtë, apo të ngjizuara më tepër si formë refluksi ndaj morsës etike enveriste, është e ulët. Katunari, maloku, provinciali, një katalog tëhuajësish për unazën mendore të një qytetari të vetëshpallur të tillë në një mjedis urban të pagëzuar qytet me dekretin e nevojës immediate dhe jo zhvillimit.
Nuk janë probleme të rinisë këto, as adoleshencës, janë të ngulitura në karakterin e kryeministrit aktual që e ka rekrutuar veten si misionar drejt një imagjinari që është asgjë më shumë sesa një lloj çifligu personal në mbarë Shqipërinë. Ka shumë mashtrim dhe hile në këtë prezantim sepse përpara sesa të gjykohet Britania, duhet folur se pse po ikin njerëzit. Pse po marrin arratinë? Pse vallë ajo Shqipëri që e sheh në përditmëri në Facebook e z. Rama nuk po i mban njerëzit këtu?
Zonja Taylor është një manekin në këtë epsiod, e mikluar nga ideja “e veçantë” që një kryeministër bën intervistë – bisedë dhe ngre gjykimet e një turisti të kënaqur me klimën në Shqipëri, ndërkohë që ajo nuk arrin kurrë të bëjë kompleksin e ndjesive të shqiptarit si përbrendësi të vetën. Për ta kuptuar labirintin e keqkuptimeve që sjell Gënjeshtra si kulturë, mjafton të kujtohet mesazhi i dikurshëm i Bertrand Rusell që kur u pyet se cila ishte sipas tij e veçanta e Britanisë, u përgjigj:
Se nuk ka qenë pushtuar dhe nuk ka përjetuar të gjitha gjërat e këqija që sjell një pushtim
Liria e kokës është lufta kryesore, të cilën do disa kushte ta arrish. Dhe shumë mund. Ajo definon një epokë, atë që Rusell thotë se e ka vetëm Britania. E kollajtë të bësh kritikun kur je në terezi, por kritika nga zyra televizive e një kryeministri, ndjesë, por është një lloj koketërie publike. Nuk dashka shumë të bëhesh lolo.
s.zaimi
Add new comment