Mjekë, policë dhe inxhinierë ndërtimi duhen. Degët e tjera janë barrë e regjimit të para ‘90-ës

Postuar në 11 Prill, 2023 22:17
Skerdilajd Zaimi

 

Nëse do i kthehesh deklaratave të kryeministrit Edi Rama për arsimin do të gjesh vetëm suksese të një reforme si asnjë tjetër më parë. Po flasim për arsimin e lartë dhe jo vetëm, ndërkohë që me mendjelehtësi z. Rama jep garanci për luftën ndaj korrupsionit faktin se mësuesit zgjidhen nga portali. 

Sot qeveria e z. Rama po flet me një ton urgjence dhe kërcënimi se mjekët e diplomuar në universitetin shqiptar – publik me gjasë – nuk do të lejohen të largohen nga vendi pa punuar 3 vjet në shërbimin mjekësor, pasi përndryshe do të paguajnë tarifën 18 mijë euro sa ç’kushton shkollimi në Europë. Njësoj si i famshmi “Pakt për Universitetin” pas protestave të studentëve...

Simulimin mjekëve në Shqipëri, duke kërkuar nga ata për shkak të shpenzimeve që bëjnë qytetarët shqiptarë të qëndrojnë minimum 3 vjet të punojnë në Shqipëri, nëse s’do bien dakord atëherë do të detyrohen të paguajnë shpenzimet e plota të shkollimit. Do përfshihet dhënia e kredive të buta për mjekët e rinj që ata që kenë mundësi të marrin banesa me interesa të favorshme nga banka të nivelit të dytë dhe nëse largohen nga sektori publik atëherë do paguajnë me vlerën e tregut, nëse kështu është 2% do shtohet dhe 10%

citohet të jetë shprehur sot rektori Arben Gjata. 

Nëse do të hedhim një sy postimeve në Facebook të ministres së Shëndetësisë do të shohim po ashtu optimizëm, inaugurime, fjalë të mira ndërkohë që moli po hante të gjithë strukturën. Atëherë si erdhëm në këtë pikë? 

Mbërritëm këtu për shumë arsye, por problemi është përshpejtuar së fundmi sepse Europa ka pranuar të hapë tregun e punës, të thyejë disa barriera që kanë rezultuar të padobishme përkundrejt emergjencës për stafe të kualifikuara. Po flasim edhe për infermierë dhe personel tjetër mjekësor. Nëse qeveria do të kishte marrë seriozisht dokumentet që përgatit vetë, diskutimi për këtë çështje do të ishte bërë shumë më herët. 

Problemi është se në një vend pa institucione funksionale si ky yni, një çështje hyn në axhendë vetëm kur ajo rezonon me intuitën e kryeministrit se mund të kemi të bëjmë me një problem me pasoja në vota dhe imazh. Ndërhyrje si këto të tanishme me një lloj diskriminimi ndaj atyre që studiojnë për mjekësi janë ad hoc, aty për aty dhe nuk kanë nga pas ndonjë studim apo plan të mirëfilltë. Përtej faktit se duke toleruar një periudhë stazhi prej 3 vitesh pune, qeveria në fakt po lëshon pe te mjekë të sapodiplomuar dhe të kualififikuar në punë praktike e që janë në moshën ideale për të nisur karriera në çdo drejtim. Pra kemi një student që me mendjen e qeverisë ne e paguajmë që ai të përgatitet, i themi puno 3 vjet për ne, pastaj je i lirë. Falemnderit shumë do të thoshte kushdo, sepse po më jep mundësinë e punës në klinikë dhe pavion, që është edhe hapi i parë madhor për çdo karrierë në mjekësi. 

Siç e shohim qeveria me z. Gjata si këmborë profesionale po kërkon të fitojë kohë, një marzh menaxhimi në burime duke u bërë gati të shtojë kuotat. Dhe këtu ne vijmë sërish në një tjetër problem eventual: masvizimimi Mjekësisë, diçka që është me rrezik të madh. Sepse brenda një shtame popullse ka statistika objektive për numër mjekësh të diplomuar që ka të bëjë si me rritjen demografike, politikat shtetërore dhe investimet.

Në përgjithësi zhvillimi matet me numrin e inxhinierëve meqenëse si degë e aplikuar ajo lidhet direkt me industrinë që sot është hetergjonizuar shumë në profesionistët që thërret në rekrutim. Mjeku përkundrazi, është profesion i veçantë. Që përfaqëson një investim personal, në emër të një bindjeje dhe dedikimi shumëvjeçar me kosto të mëdha personale. Dhe kjo ka të bëjë edhe me regjimin e punës që pason. Si ta stimulosh numrin e atyre që studiojnë për mjekësi në nje vend me rrudhje të parashikuar zyrtarisht të popullsisë, me përqendrim të saj në dy qendra, me informalitet që mbërrin deri në 5 milionë euro në ditë sipas burimeve të ndryshme dhe me një sistem arsimi bazë dhe të mesëm që ka shumë probleme? Këtë duhet ta dijë z. Rama që në vend të një politike sot ofron një eksperiment pasojat dhe rezultatet e të cilit nuk dihen ende. 

Ndërhyrja e tanishme na konfirmon edhe një të ëvrtetë shumë të hidhur, e cila do trajtim imediat: Parazitizmin inercial të mjaft degëve të universitetit publik shqiptar. 

Z. Gjata dhe z. Rama po e arsyetojnë karakterin shtrëngues të politikës me mjekët e rinj me faktin se për diplomimin e tyre paguajmë ne. Pra taksapaguesit. Mirëpo ne paguajmë edhe për ata që diplomohen për punë sociale, gjeologji, arkitekturë, informatikë, letërsi e kështu me radhë. Askush nuk kujtohet që për këto profesione të ndërhyhet në këtë formë. Kjo sepse mjeku përfaqëson një profesion në një sektor jetik për një vend. Jo kritik, por jetik. Krahas policit, inxhinierit të ndërtimit. 

Në një shtet si Shqipëria e Edi Ramës, pasi shteti është i tij, me një ekonomi të strukturuar rreth trafiqeve dhe kontrabandës e me gjasë së afërmi edhe pastrimit të parave përveçse qarkullimit të parave të zeza që ka kohë tashmë, profesione të tjera janë atavizma të shtetit të Diktaturës së Proletariatit që ishte në një aspekt menaxherial kapitalizëm shtetëror. Ishte ai shtet që krijoi struktura me shtrirje vertikale dhe për pasojë mobilizoi burime të mëdha njërëzore duke arritur madje të kishte edhe pretendime për teorizim në sektorë të ndryshëm nisur nga përvoja e vet. Pas rënies së atij shteti, me rritjen e peshës së ekonomisë së shërbimeve dhe sidomos kulturën e kopjimit të legjislacionit dhe rikonfigurimin e forcës së punës sipas përvojës së emigracionit, bëhet  e panevojshme dhe koha po e provon një gjë të tillë, mbajtja në këmbë e një buxheti ër arsimin e lartë që shkon në drejtime pa lidhje organike me ekonominë e vendit. Dhe të ardhmen afatmesme të tij. 

Ta zëmë cili është interesi real, jo politik, por real, që Shqipëria e sotme të ketë Akademinë ushtarake “Skënderbej”? Edhe me përvojën e regjimit komunist u provua se dallimi mes specialistëve të diplomuar jashtë me ata që u diplomuan këtu ishte i madh, i dukshëm dhe sidomos me defiçenca të parikuperushme në kapacitetet teorike dhe zotërimit teorik të materies përkatëse. Ka disa degë, vlera reale e të cilave mund të provohet në origjinën e të interesuarve: nëse pjesa më e mirë e vendit, me më shumë mundësi u rri larg interesave për degë si ushtria, policia, inxhinieritë, letërsia, është e afërt dita kur këto do të akaparohen nga mediokriteti për t’u shndërruar në vende pune dhe shtojca për vota. E mbajmë mend sesi ushtria Popullore u ruralizua në masë për t’u parë vetëm si mundësi për ikje nga fshati. Kjo po ndodh edhe sot në forma të tjera me dallimin se diplomat shiten, gradat blihen e kështu me radhe për të shkuar deri tek Akademia e Shkencave që dikush e quajti nëndetëse të ndryshkur sovjetike.

Për ta thënë me fjalët e popullit: për mjekët u kujtua se i ra bytha në ujë, por kjo Shqipëri ka interes real të financojë vetë, mjekun, policin dhe inxhinierin e ndërtimit. Të tjerat si ligjet e shumicës socialiste: me Google Translate. Jo se nuk duhen, shumë madje. Por ato janë gjëra shumë serioze për atë që jemi ne sot. 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Edhe nje demostrim tjeter i qeverisjes me amatorizem i Qeverise aktuale, me remineshenca nga regjimi i kaluar. Nuk ka vend ne bote qe detyron te diplomuarit te punojne aty ky do qeveria me argumentin se studentet jane pergatitur edhe me kontributin e taksa paguesve. Nuk ka mundesi qe kekun edhe ta kesh edhe ta hash. Une nuk e di si eshte ne Shqiperi, po nqs studenti paguan "tuition fee" sado e madhe apo e vogel qofte, i bie qe studenti i paguan studimet vete. Si remineshence nga e kaluara (dhe nuk e di a ka me tashti apo jo) shteti mund te kete nje fare aturoriteti mbi studentin mbas perfundimit te studimeve vetem nqs studenti ka qene bursist i shtetit. Edvin Rama e quajti qeverisjen e Saliut "Rrumpalle", po faktet po tregojne qe ky Edvini pasi e trashegoi Rrumpallen, vazhdoi ta perfeksionoje me tej deri sa e ka kthyer ne Rrumpalle Perfekte, ose ne Pronesi Vetjake te Pakontestueshme. Zoti e ruajte Shqiperine.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.