Iluzioni se ka ende një Parti Socialiste
Fatos Tarifa i ka dërguar përmes gazetës “Dita”, një letër dashamirëse Partisë Socialiste. Të cilën e voton për vite të tëra siç thotë, sepse kandidatët e sjellë prej saj kanë qenë përherë më mirë se kandidatët e rivalëve.
Zoti Tarifa thotë se arritjet kryesore të vendit në këto dekada nuk do të ishin të mundura pa PS-në, por se kjo parti kërcënohet aktualisht nga despotizmi kryministror dhe fakti se po riciklon veten në pushtet dhe si alternativë, në mungesë të kundërshtarëve. Ndaj për të shmangur rrudhjen e saj, PS-ja duhet të Hapet, demokratizohet. Por realisht ama, me intelektualë, me shtresën e mesme etj., me radhë.
Hapja është recetë e vjetër, që sa herë përsëritet mbetet një truk propagandistik që përgënjeshtron pretendimet e suksesve dhe arritjeve të mëdha. Zoti Tarifa që shkruan këtë letër në fakt duhet ta dijë fare mirë se parti si kjo me siglën PS janë strehë e një grupimi të riprodhuar biologjikisht dhe kukuturalisht në hierarkinë burokratike të regjimit që shkoi.
Se hapja e vërtetë konsiston në politikat e ndjekura që në sistemin ku jetojmë, nëse do të ishin reale do ta kishin zvogëluar rolin e një subjekti në ekonominë e vendit, për ta rritur atë në sferën legjislative dhe atë të debatit publik, pikërisht se një numër përherë e më i madh njerëzish do të shihnin te kjo parti garancinë për funksionimin e parimeve të tregut dhe demokracisë.
Hapja me konkurs, apo me prenotim ekselentësh të kujton atë seleksionimin që i jep mundësi vetëm të ngjashmëve dhe që nuk cenon një peshë specifike për pushtetin politik, mishëruar në fraza arkaike si “PS-ja është partia më e madhe në vend”. Po çfarë jete politike zhvillohet aty, kur vetë z.Tarifa na thotë se ajo nuk është demokratike? Si matet përmasa, me vota apo me strukturë dhe organizim?
Tingëllon e tejkaluar rimarrja e kësaj teze që i ngjan një monologu të një grupimi që po i merr frymën këtij vendi, pse duke shndërruar zgjedhjen në instrument manipulimi, përfundon në uzurpator të jetës publike, njësoj si z. Rama, për të cilin Tarifa në kujton se ka 20 vjet në karrige dhe tashmë duhet të kishte ikur. Dhe askush nuk përmend ndonjëherë sesi erdhi ky njeri aty, se ndoshta kjo do shpjegonte shumëçka.
s.zaimi
Comments
Egzakt
"Dhe askush nuk përmend ndonjëherë sesi erdhi ky njeri aty, se ndoshta kjo do shpjegonte shumëçka. "
Egzakt! Asnje here dhe askush nuk ka shpieguar ne cfare filxhani kafeje apo letrash Taroku, Fatos Nano perzgjodhi kete "hobon" poshte urave te Parisit, dhe "me thonj te paprere" e katapultoi ne zyren e Ministrit te Kultures. Koha tregoi qe Tosi kreu vetvrasje krejt padashje, gje qe thote se Tosi nuk e pati thjesht nga vetja. Dikush tjeter "siper" Tosit e urdheroi sjelljen e ketij agait me brekushe ne krye te puneve.
Add new comment